Partia Demokratike thotë se i gjithë projekti për ndërtimin e Unazës së Re është me leje të pavlefshme ndërtimore dhe ish-deputeti Klevis Balliu tha në një konferencë për shtyp se e gjithë shkelja ka nisur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Balliu thotë se ARRSH fillimisht ka shkelur nenin 1 të ligjit për sponsorizimet, duke pranuar si dhuratë një projekt me vlerë 1 mln euro nga një kompani private.
“Rol kyç në skemën e vjedhjes me projektin e Unazës së Re ka Agjencia e Rrugëve, e cila, në kundërshtim me ligjin e sponsorizimeve ka pranuar si dhuratë një projekt të gatshëm mbi 1 milionë euro nga kompania AVE CONSULTING”, deklaroi ai.
Jo vetëm kaq. Sipas PD vetë projekti teknik ka shkelje të rënda.
“Dokumentat provojnë se projekti teknik është jo i plotë. Atij i mungon studimi topografik, gjë që vërtetohet nga shkresa e 16 tetorit 2018 e Autoritetit Kombëtar të Rrugëve. Një shkresë tjetër, e 11 dhjetorit 2018 e Ministrisë së Infrastrukturës, tregon se kompania “AVE CONSULTING”, që ka sponsorizuar projektin, në kundërshtim me ligjin, nuk ka drejtues teknik në fushën e gjeodezisë. Ky është një fakt shtesë për mungesën e studimit topografik, pa të cilin nuk mund të projektohen detajet e zbatimit të projektit”, shtoi Balliu.
Ish-deputeti demokrat vijon më tej duke thënë se përveç anës teknike, në këtë çështje ka edhe një konflikt të pastër interesi të kompanisë që gjoja i ka falur qeverisë një projekt 1.2 milionë euro.
“Nga njëra anë, “AVE Consulting”, që ka projektuar shkatërrimin e qindra shtëpive tek Unaza e Re, ka fituar tenderin per të përmbyllur procedurat e legalizimit të objekteve informale”, vijon ai.
Por cilat janë pasojat juridike, sipas PD, të këtyre mangësive në projekt?
“Mungesa e këtij studimi sjell pasoja juridike në pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit të projektit që kushton 20 milionë euro për 1 kilometër. Duke mos patur një studim të fazes së parë të projektit, shkaktohet edhe një dëm i madh ekonomik, pasi volumet e punës llogariten keq, aksi i rrugës zhvendoset sipas interesave korruptivë të momentit dhe rritet kostoja e punimeve”, u shpreh Balliu.
Për këto arsye, Parti Demkoratike i kërkoi Prokurorisë të hetojë këtë aferë të rëndë korruptive, duke mos e zvarritur atë siç po bën, sipas opozitës, me rastin e DH Albania.
“Partia Demokratike do t’i dorëzojë Prokurorisë te gjitha dukementat e nevojshme për të nxjerrë në dritë këtë aferë korruptive, ku një grusht njerëzish duan të shtojnë pasuritë duke shkatërruar jetën e qindra familjeve. Një prokurori e pavarur, që nuk sakrifikon drejtësinë për t’ia hedhur vetingut, ka në dorë të kërkojë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij projekti korruptiv dhe të pavlefshëm juridikisht tek Unaza e Re”, u shpreh Balliu.
Ish-deputeti demokrat premtoi se me ardhjen në pushtet, PD do të vendosë përpara ligjit të gjithë zyrtarët e përfshirë në këtë aferë, madje edhe duke përdorur ligjin antimafia dhe programin e opozitës “Ndiq paranë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.