Futboll

Projekt italian për shpëtimin e Dinamos, pikëpyetjet mbi pronarët e rinj

Dinamo është një nga historitë më të dhimbshme të futbollit shqiptar. Ekipi i dytë më i titulluar në vend, me 18 tituj kampionë, po kalon një periudhë shumë të vështirë. Shumë larg shkëlqimit të saj, Dinamo vitet e fundit po vuan në Kategorinë e Parë, ku kriza financiare jo vetëm nuk e lejon të pretendojë rikthimin në elitë, por e rrezikon të bjerë edhe më poshtë.

Por për atë që në ambientin futbolldashës njihet si “Nëndetësja”, ka një rreze shprese që vjen nga Italia. Një kompani nga vendi fqinj ka shfaqur interes për t’u bërë pronare e Dinamos dhe ka nisur kohët e fundit bisedimet me pronarët aktualë. Në mes janë edhe disa biznesmenë shqiptarë, emrat e të cilëve për momentin nuk bëhen publikë, përderisa ende nuk ka një marrëveshje zyrtare, ndërsa pala italiane përfaqësohet nga Marko Pontreli, ish-presidenti i Triestinës. Ende nuk ka një akord mes palëve, por bisedimet duket se po avancojnë, pasi në klubin blu kanë nisur ndryshimet. Drejtimin e ekipit blu e ka marrë një trajner italian, Mauro Manzoni, ndërkohë që projektet në letër janë të mëdha.

Marko Pontreli, përfaqësuesi i projektit italian për Dinamon. Gazeta Si, 20 tetor 2019

Megjithatë, pavarësisht krizës së thellë financiare, drejtuesit e Dinamos nuk duan të nxitohen për ta kaluar klubin në duart e njerëzve që nuk ofrojnë garanci. Për më tepër, Marko Pontreli, njeriu që është në themel të projektit italian të Dinamos, ka qenë në një luftë me drejtësinë sportive italiane sa i takon falimentimit të Triestinës, ku ai mbante postin e presidentit. Koha do të tregojë çfarë do të ndodhë realisht. Drejtuesit e Dinamos, presidenti Besnik Sulaj dhe administratori Ismet Saliaj, kërkojnë garanci, kërkojnë njerëz seriozë për t’u kaluar administrimin e klubit.

Për momentin nuk ka shumë detaje sa i takon projektit italian, ndërsa lajmi i mirë është që për Dinamon ka interes. Aktualisht, klubi blu po vuan në çdo drejtim, nuk ka një skuadër kompetitive, nuk bën dot merkato, nuk ka ambiente për stërvitje dhe ndeshje, duke u endur sa andej-këndej. Ndoshta afrimi i kompanisë italiane, në bashkëpunim me biznesmenë shqiptarë, do ta rikthente Dinamon në kohët e saj të arta. Do t’i bënte mirë futbollit shqiptar, është një nga shkollat më të njohura të tij. Historia flet qartë.

Tifozë të Dinamos, duke ndjekur ekipin në Pezë-Helmës. Gazeta Si, 20 tetor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë