Biznes

Beteja e humbur me mollët

“Çmimet me të cilat shesim mollët nuk justifikojnë as pesticidet dhe kostot e ujitjes për të mos përmendur lodhjen tonë,” thotë për Gazetën “Si” Gramoz Celanji, një kultivues mollësh në zonën e Korçës.

Ai tregon se mijëra tonë mollësh janë të destinuara të shiten nën kosto ose të hidhen për shkak të mbiprodhimit dhe mungesës së magazinimit në frigorifer që mund t’u lejojë atyre shitjen e frutave me çmime më të larta më vonë gjatë dimrit.

Më shumë së 8.000 ton mollë janë mbledhur në Dibër, por për shkak të mungesës së mjediseve të magazinimit shumë prej tyre shkojnë në mbeturina, ndërsa në Korçë prodhimi i përvitshëm i mollëve ka arritur në sasinë e 65 mijë tonëve.

Prodhuesit e Dibrës dhe të Korçës tregojnë se mbiprodhimi ka çuar gjithashtu në uljen e çmimeve dhe ata nuk mund të justifikojnë kostot e mëdha që shpenzojnë në sezon.

"Pronarët e depove na ofrojnë vetëm 30 lekë për kilogram, por jemi të detyruar t’i shesim sepse nuk duam që i gjithë prodhimi të prishet e ta hedhim në mbeturina", thotë Gramozi .

Përveç dështimit për të marrë subvencione për shkak të fragmentimit të tokës dhe nevojës së fermerëve, për t’u bashkuar në kooperativat bujqësore, në mënyrë që të fitojnë fondet nga BE-ja, infrastruktura e dobët në disa fshatra të izoluara dhe shpenzimet e larta të transportit deri në Tiranë janë gjithashtu një pengesë kryesore.

“Të gjithë fermerët në këto zona i mbjellin mollët sepse ato janë puna e vetme që u ofrohet. Ashtu si të tjerët, edhe unë dua të siguroj jetesën, edhe pse me kosto shumë të ulëta,” shton ai.

Shqipëria ka më shumë se 30 milionë pemë mollë, me një prodhim vjetor rreth 73.000 tonësh dhe shumica e tyre prishen, ndërsa dhe fermerët detyrohen t'i hedhin.

Vullnet Gjolla, drejtor i bujqësisë në Korçë

Drejtori rajonal i Bujqësisë në Korçë Vullnet Gjolla, tha para pak kohëve se ritmet dhe ecuria e eksportit këtë vit janë shumë të mira dhe deri tani janë eksportuar rreth 4300 ton mollë.

“E vetmja gjë që do të ndihmonte fermerët është rritja e kapaciteteve frigoriferike për ruajtjen e mollëve, çka do të sillte gradualisht edhe rritje të eksporteve,” shton ai

Bujqësia është një sektor kyç i ekonomisë shqiptare që punëson rreth gjysmën e popullsisë së vendit, por që për shkak të produktivitetit të dobët siguron vetëm një të pestën e prodhimit kombëtar.

Përveç fragmentimit të tokës, financimi i dobët, mungesa e subvencioneve dhe infrastruktura janë faktorë kryesore; aq sa është edhe ujitja apo eksporti e këtij produkti. Gjithashtu, taksat e larta janë një problem serioz për sektorin bujqësor të Shqipërisë, që i bëjnë shpesh produktet vendore jokonkurruese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë