Biznes

Prodhuesit: Kërcënimi i Braçes, papërgjegjshmëri

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë i përgjigjet zëvendës kryeministrit Erjon Braçe për një deklaratë të lëshuar prej tij dy ditë më parë ku i bënte presion biznesit të madh se do të përballej me ligjin nëse shkurtonte punonjës në këtë situatë të rëndë për të gjithë kombin.

“Shoqata shpreh shqetësimin e thellë për deklaratën e papërgjegjshme të të Zv.kryeministrit z. Erion Braçe, lidhur me qendrimin e sipërmarrjes prodhuese ndaj punonjësve. Një deklaratë e tillë përçon dhe nxit një frymë të rrezikshme shoqërore në një moment kur vendi ka nevojë për një klimë të thellë bashkëpunimi dhe solidariteti”- citon Bashkimi i Prodhuesëve Shqiptarë në qendrimin publik ndaj deklaratës së numrit dy të qeverisë.

Sipërmarrjet prodhuese, thotë qëndrimi i shoqatës, i konsiderojnë punonjësit e tyre asetin më të çmuar, prandaj mbeten të angazhuar maksimalisht për ta ruajtur me kujdes këtë pasuri për të cilën kanë investuar me vite, duke bërë përpjekje maksimale për të vazhduar aktivitetin prodhues edhe në këto kushte të vështira dhe të jashtëzakonshme të krijuara nga pandemia Covid-19, ku tregjet e shitjes së produktit po mbyllen me shpejtësi duke vënë në rrezik të ardhmen e industrive tona.

Bashkimi i Prodhuesëve bën me dije se sipërmarjet i kanë paguar të gjithë punonjësit dhe taksat për muajin Mars dhe me këtë rast “dëshirojmë të falenderojmë të gjithë punonjësit tanë për përkushtimin dhe kontributin për të përballuar sëbashku këtë situatë tejet të vështirë.”

Gjuha e përçarjes dhe urrejtes ndaj sipërmarrjes thotë shoqata, nuk i shërben askujt në këtë moment, pasi kjo situatë e paprecedentë mund të perballet vetëm nëse perpjekjeve të sipërmarrjes prodhuese i shtohet edhe mbështetja e qeverisë, duke ndjekur ato politika ekonomike që po ndiqen nga vendet e tjera europiane ndaj sipërmarrjeve të tyre.

Dy ditë më parë Zv kryeministri Erion Braçe ka paralajmëruar biznesin e madh që të mos shkurtojë punonjësit në këtë periudhë që ka rënë fluksi i punës, pasi ata mbrohen me ligj, e në të kundër do t'i paguajnë punonjësit e shkarkuar deri në 12 paga.

Duke cituar Kodin e Punës, ku parashtrohen rastet se kur pronari detyrohet të shkurojtë stafin për mungesë të fondeve, ai shpjegon se ka disa detyrime ligjore, mes të cilave dhe trajtimin me pagesë papunësie.

 Braçe ka renditur edhe të drejtat që ka çdo punonjës nëse largohet nga puna pa e njoftuar paraprakisht.

"O VIP, mos e shkurto punëtorin! Shkurto luksin tënd! Dje, krejt pa dashje-me dashje do vijoja te lexoja, në një televizion, dëgjova një muhabet për punëtorët në biznesin e madh. Shikoni, puna në ketë vend rregullohet me ligj, mbrohet prej tij dhe gjykata. Cilido që jep si zgjidhje shkurtimin e punëtoreve në biznesin e madh e pastaj, trajtimin me pagesë papunësie, duhet të lexojë kodin e punës! Largimi nga puna se “pronari s'ka lekë”, nuk është një llaf muhabeti, por procedurë ligjore dhe PAGA, paga e shpëblime edhe kur largon nga puna", ka shkruar Braçe ne Instagram.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë