Politike

Proces mes mosbesimit, përçarja e opozitës pengon emrat për Presidentin e ri. Votimi i dytë në 23 maj

Diskutimet në konferencën e kryetarëve për zgjedhjen e Presidentit të ri zbuluan se të paktën në këtë fazë të procesit dalja te emrat pengohet nga mungesa e dakordësisë mes radhëve të opozitës dhe jo nga përplasja mes opozitës dhe mazhorancës.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj kërkoi nga PS që t’i kthente përgjigje me shkrim kërkesës me kriteret e vendosura për zgjedhjen e Presidentit. Mes kritereve është propozimi që opozita të propozojë 4 emra, nga të cilët PS të eleminojë dy dhe të pranojë dy.

“Pse të propozojmë emra ne? Që të tallen këta?! Jo! Këtë gjë nuk ja tolerojmë vetes. Jemi përfshirë në proces, kemi marrë pjesë në konferencat e kryetarëve dhe afatet nga raundi në raund duhet të jetë maksimal. Jemi të hapur pas pranimit të kritereve që të sfidojmë shqiptarët në kuptimin pozitiv të fjalës. Këta duhet të japin një sinjal, se nëse vazhdohet me idenë siç e tha ai i madhi, që të vijnë emra, ne nuk jemi këtu për të plotësuar epshet e tij”, deklaroi Alibeaj.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se kushti ku opozita të propozojë 4 emra dhe PS të eleminojë nuk mund të pranohej, pasi përjashtonte Partinë Socialiste nga e drejta për të propozuar emra.

“Kemi marrë një letër ku na keni sjellë një dokument që është bërë publik kohë më parë dhe po u them, doni ta diskutojmë dokumentin këtu e diskutojmë. Keni sjellë disa ide. E kam thënë publikisht që për të drejtën grupit të PS për të propozuar emra nuk ja hiqni dot dhe nuk ja vini dot kusht”, deklaroi Balla.

Kreut të grupit parlamentar të PS-së iu përgjigj Grida Duma, që njëkohësisht kritikoi edhe propozimin e Alibeajt dhe këmbënguljen e tij për të mos dhënë emra në këtë fazë.

“Ju nuk ju ka përjashtuar njeri nga procesi, sepse ju keni dy raundet e fundit dhe mund ta zgjidhni vetë. Ne kërkojmë që ta propozojmë dhe ju ta votoni. Nëse nuk e votoni, votojeni vetë në dy raundet e tjera. Art i spekulimit është edhe politika, sidomos në këtë proces me zero produkt. Këtu jemi jashtë konceptit dhe kontradiktorë, se të thuash që mazhoranca ka mandatet e vjedhura dhe të mos propozosh emra është kontradiktore”, tha Duma.

Balla nga ana tjetër përforcoi idenë e daljes te emrat dhe diskutimit të emrave.

“Si i bëhet kjo?! Ti thua nuk jap emra se ti do të tallesh me emrat e mi, po si do të shkojmë te emrat?! Ti s’jep emra, po nuk na lë as ne që të japim emra”, tha ai.

Që opozita duhet të dalë të emrat e mbështeti edhe Fatmir Mediu, që në fjalën e mbajtur shënjestroi edhe retorikën e Alibeajt, që i cilësoi procese të skutave dhe makinacioneve procesin e zgjedhjes së Presidentit në këto 30 vite.

“Përpiqem të mos shkel parimet, PD dhe kjo opozitë ka një histori 30-vjeçare dhe proceset që kanë qenë të rëndësishme për të zgjidhur kriza në momente shumë të rëndësishme të vendit. Ka pas momente të mira dhe të keqija. Përgjithësimi sikur politika nis sot nuk shërben. Nëse ne nuk dimë historinë e shtëpisë tonë, nuk ndërtojmë historinë e përbashkët me askënd tjetër”, tha Mediu, duke kërkuar që procesi të kalojë te kapitulli i emrave.

Ideja e Mediut u mbështet nga Balla.

“Merrni të mirën e asaj që propozoi Mediu, pa dashur që të bëj diversion. Na duhet një proces që të çojë te emrat sa më shpejt. Keni kërkuar dy herë shtyrje të procesit dhe afate maksimale. I kemi miratuar që të dyja, por tani kemi hyrë në numërimin mbrapsht dhe nuk kemi nga t’ja mbajmë te emrat do të dalim”, tha Balla.

Deputetja e PS, Elisa Spiropali u ndal shkurtimisht te mungesa e dakordësisë së opozitës.

“Alibeaj thotë diçka, Duma diçka tjetër dhe më pas Mediu thotë diçka të arsyeshme. Duhet të bini dakord para se të vini këtu me ne, që ta kuptoni se çfarë doni në të vërtetë. Keni nisur vetëm letra të paqarta dhe të pakoordinuara me grupin parlamentar”, u shpreh ajo.

Alibeajn e mbështeti deputetja Jorida Tabaku. Ajo këmbënguli që procesi të jetë parimor dhe akuzoi mazhorancën për mungesë seriozisteti dhe farsë që synon zgjedhjen e presidentit në raundin e katërt, ose të pestë.

Dakordësia e vetme e arritur ishte caktimi i raundit të radhës të seancës plenare në datën 23 maj në orën 18:00. Kandidaturat duhet të dorëzojnë dokumentacionet në Kuvend brenda orës 16:00 të datës 22 maj, ndërsa paraditen e datës 23 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për verifikimin e këtyre kandidaturave…gjithmonë nëse do të ketë të tilla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë