Politike

Digjet raundi i parë, Procedurat për zgjedhjen e Presidentit rinisin të martën për raundin e dytë

Kuvendi dogji formalisht raundin e parë të zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Seanca plenare zgjati rreth 5 minuta dhe në të foli vetëm kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, që lexoi në foltoren mungesën e një kandidati në këtë raund.

Seanca formale i hap rrugë zyrtarisht raundit të dytë dhe sipas parashikimeve kushtetuese, procedurat rinisin nga e para. Konferenca e kryetarëve do të mblidhet ditën e martë dhe brenda 7 ditëve, Kuvendi duhet të mblidhet në seancë plenare për të votuar në raundin e dytë.

Partia Socialiste kishte paralajmëruar djegien e raundit të parë. Seanca tjetër është planifikuar më 23 maj, datë kur socialistët u kanë dhënë si afat demokratëve që të paraqesin një kandidaturë.

PS ka përjashtuar mundësinë që Presidenti i ri të mbërrijë nga grupi i vet parlamentar dhe po ashtu ka shprehur gatishmërinë për të biseduar me opozitën për një emër konsensual. Por, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, fraksionet brenda PD-së e cilësuan si farsë të gjithë këtë proces dhe ftesën e socialistëve si të pasinqertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë