Ekspozite

‘Problemet e planetit kërkojnë më shumë zgjidhje’, Bienalja e Arkitekturës krijon të ardhmen duke parë Afrikën

Nga Gazeta Si - Njerëzimi, “me një vështrim miop”, supozoi se planeti ishte tërësisht në shërbim të tij dhe si rezultat “shumë burime të rëndësishme janë varfëruar. Pse Toka është konsideruar në një mënyrë kaq të kufizuar?” pyet Achille Mbembe nga Kameruni, një nga teoricienët më të mëdhenj të postkolonializmit.

Fraza shfaqet në rrugën e “Laboratorit të së Ardhmes”, Ekspozita e 18-të Ndërkombëtare e Arkitekturës së Bienales së Venecias, e kuruar nga Lesley Lokko, e cila përmes një vështrimi të privilegjuar ndaj Afrikës dhe diasporës së saj vendos në qendër të qenies së saj, të pyetjeve dhe kërkimit të përgjigjeve, problemet qendrore si dekarbonizimi, qëndrueshmëria mjedisore, dekolonizimi.

“Nëse doni të ndërtoni një botë më të mirë, duhet ta imagjinoni atë”, thotë kuratorja, duke folur me gazetarët përkrah presidentit Roberto Cicutto. Për ta bërë këtë, në fushën e arkitekturës, është kështu e nevojshme të dilni nga skemat e “hegjemonive” kulturore, të veçorive disiplinore, të zgjidhjeve gjithëpërfshirëse të projektimit dhe ndërtimit.

Kuratorja e Bienales, Lesley Lokko

Është e kotë të kërkosh projektet më të mira, struktura që kanë vlerë për vetë qenien e tyre sesa për një funksion specifik. Bienalja e Lokko, arkitekte dhe shkrimtare anglo-ganeze, ofron këndvështrime të tjera sepse është e nevojshme të dëgjosh zëra të ndryshëm, të aktivizosh agjentë ndryshimi.

“Në arkitekturë, në veçanti, zëri dominues ka qenë historikisht një zë i veçantë dhe ekskluziv, shtrirja dhe fuqia e të cilit - kujton ajo - ka injoruar një pjesë të madhe të njerëzimit, nga pikëpamja financiare, krijuese dhe konceptuale”.

Në procesin e rishkrimit të “historisë” së arkitekturës – “jo e gabuar, por e paplotë”, nënvizon ajo - kuratorja prezanton një ekspozitë të ndarë në gjashtë pjesë, të ndarë midis Giardini, Forte Marghera dhe Arsenale (ku do të vendoset edhe pavijoni shqiptar).

Janë 89 pjesëmarrës me një ekuilibër gjinor dhe një moshë mesatare 43 vjeç, ku më i riu është 24 vjeç. Më shumë se mosha kronologjike, për të dhënë shenjën e një ekspozite që duket se trajton çështje themelore për mbijetesën njerëzore përmes “mikro-historive” dhe zgjidhjeve fleksibël, duhet konsideruar se mbi 70% e veprave të ekspozuara janë projektuar nga studio të menaxhuara nga një person ose nga një grup shumë i vogël pune.

Shumëllojshmëria e propozimeve, hipotezave të punës, ndërhyrjeve përgjatë rrugës së gjashtë pjesëve nga Lokko është jashtëzakonisht e gjerë, duke i dhënë jetë një ekspozite magmatike ku takohen video, modele, pëlhura, harta, muzikë, instalacione, të cilat japin një shenjë të qartë të rënies së kufijve mes arteve.

Në rrafshin leksikor, kuratorja paraqet një risi, duke i përcaktuar pjesëmarrësit jo me termin “arkitekt” por “praktikues”, ndërsa në planin operacional ka krijuar “Karnavalin”, një sërë takimesh, tryezash, filmash dhe shfaqjesh gjatë gjashtë muajve të ekspozitës, “e cila synon të jetë një formë praktike e arkitekturës që tenton të kapërcejë hendekun midis arkitektëve dhe publikut”.

Shumica e 64 pavijoneve kombëtare - duke përfshirë Ukrainën dhe Selinë e Shenjtë - iu përgjigjën pozitivisht kërkesave të kuratores të Bienales dhe trajtuan çështje të tilla si ndikimi në mjedis dhe njerëzimi që rrjedhin nga sasia e madhe e mbetjeve plastike (Shtetet e Bashkuara) ose koncepti i riparimit të ekzistueses (Gjermania) ose zgjimi i dëshirës për utopi (Franca).

Shqipëria do të përfaqësohet përmes ekspozitës “Përsiatje të pakohë, ose: Si mësojmë të jetojmë në realitete të sintetizuara”, ku arkitekti shihet si agjent ndryshimi. Kuratorët Era Merkuri dhe Martin Gjoleka, në bashkëpunim me Ani Markun dhe Geraldo Prendushin, prezantojnë tipologji të reja të hapësirave qytetëse.

Në formën e një odiseje virtuale Tirana vëzhgohet në dy hapësira publike; prej stadiumit “Dinamo” dhe Liqenit Artificial duke trajtuar përballjen me vështirësitë e kohës, transformimin digjital dhe ekologjik dhe realitetet hibride të krijuara.

Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës nis në Venecia në 20 maj. /Ansa/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë