Biznes

Problemet e kompanisë mëmë në Turqi: Kurum rrezikon ekonominë shqiptare

Konfindustria thotë se problematikat e kompanisë “Kurum Demir” në Turqi paraqesin një risk potencial për ekonominë shqiptare, prandaj u kërkon autoriteteve kompetente të marrin masat e duhura që të mos kthehen në një rrezik real.

Konfindustria bënë me dije se është duke ndjekur me shqetësim dhe vëmendje të vecantë lajmet për problematikat financiare, ligjore dhe gjyqësore të kompanisë holding “Kurum Demir” në Turqi dhe pasojat e mundshme shoqëruese në ekonominë dhe sistemin bankar në Shqipëri.

“Së pari, shqetësimi është lidhur drejtpërdrejtë me faktin, se në Shqipëri kompanija bijë e “Kurum Demir” është në zotërim të aseteve të rëndësishme në sektorët strategjikë të industrisë energjisë si HEC-et u Ulëz, Shkopet dhe Bistrica 1 dhe 2, të uzinës së vetme në vend të celikut në Elbasan si dhe terminalin në Portin e Durrësit, më i madhi në vend. Së dyti, shqetësimi është edhe më i madh, nëse vlerësohet, se mbi 50% e vlerës së përgjithshme prej afër 500 milionë euro të kredisë të kompanisë, janë marrë nga sistemi financiar dhe bankar në Shqipëri”, citon shoqata e biznesit.

Ajo i kërkon Bankës së Shqipërisë, qeverisë dhe agjencive ekzekutive përkatëse të ndjekin me vëmendje dhe të marrin gjithë masat e nevojshme ligjore për të parandaluar përcjelljen nga Turqia të pasojave të dëmshme të mundshme të rastit në fjalë në ekonominë dhe sistemin bankar shqiptar.

Konfindustria sugjeron që Banka e Shqipërisë duhet të vlerësojë e të marrë masat e duhura për të kontrolluar cilësinë e kreditimit, për të shmangur përqëndrimin e kredisë vetëm në disa operatorë tregtarë si dhe për të luftuar mungesën e profesionalizimit, subjektivizmin dhe korrupsionin në sektorin bankar në procesin e kredidhënies.

Po ashtu, qeveria dhe agjencitë ekzekutive duhet të marrin masat e nevojshme për të parashikuar dhe përballuar problematikat e mundshme, që mund të shkaktohen në sektorët strategjikë në të cilat kompania “Kurum” është e pranishme në vend, që do të ishte  me pasoja të rënda në të gjithë ekonominë shqiptare.

Kompania “Kurum” aktualisht është nën akuzë pasiqë ka mashtruar 33 banka me fatura fiktive prej 210 mln euro.

Mashtrimi ka mbërritur në gjykatë dhe cilësohet si mashtrimi më i madh bankar i dhjetë viteve të fundit në Turqi.

Gazeta turke “Sabah” shkruan se skandali i kompanisë turke “Kürüm Demir”, e cila ka operuar në Shqipëri përmes kompanisë “Kürüm International SHA” ka të bëjë me një mashtrim gjigant që i është bërë bërë 33 bankave në Turqi, Shqipëri dhe Angli dhe mashtrimi ishte aq mirë i menduar sa “nuk do t’i shkonte ndërmend as djallit”.

Kompania në fjalë është paditur në gjykatë nga 14 banka turke për mashtrim, pasi mori rreth 191 milion euro kredi përmes bilanceve fiktive, teksa në të vërtetë kompania po falimentonte.

Të njëjtën praktikë sipas “Sabah”, kompania turke e ka ndjekur edhe në Shqipëri përmes “Kürüm International SHA” duke marrë 210.3 milion euro kredi nga bankat shqiptare.

 “Kürüm International SHA” shkruan gazeta turke, në Shqipëri ka marrë kredi përmes bilanceve fiktive nga bankat “IFC”, “Raiffesein”, “Credit Europea”, “Societe Generale (tani OTP) dhe “NBG Bank”.

Kompania “Kürüm Demir” i përket biznesmenit të njohur Haşmet Bedii Kürüm, i cili ka qenë më herët edhe pronari i ekipit të futbollit të Besiktasit në Turqi.

Mashtrimi në Turqi

“Kürüm Demir” ishte një ndër kompanitë më të mëdha të prodhimit të hekurit në Turqi. Deri në vitin 2013, kur hekuri prodhohej kryesisht përmes mbledhjes së skrapit, kompania kishte të ardhura të mira dhe nxirrte mjaft fitim. Gjithçka ndryshoi pas vitit 2013, kur kompanive iu duhej që ta nxirrnin hekurin përmes përpunimit të pasurive nëntokësore. Kjo rriti kostot nga njëra anë duke ulur fitimin e kompanive, ndërkohë që nevojiteshin investime të mëdha për të qenë konkurrent në treg.

Siç raporton “Sabah”, ky ishte momenti kur kompania filloi të përballej me humbje, por drejtuesit e saj përdorën bilance fiktive për ta treguar kompaninë me fitime.

Përmes këtyre bilancëve dhe përdorimit të kompanive fantazmë për të treguar në mënyrë të rrejshme se kishte porosi të shumta, “Kürüm Demir” mashtroi bankat duke vijuar të marrë kredi edhe pse ishte në prag të falimentimit.

Më pas kompania aplikoi tek autoritetet e taksave dhe tatimeve për të shtyrë falimentin, ndërsa shiti pronat e saj tek kompanitë e tjera të hapura nën emrin e të afërmve të Haşmet Bedii Kürüm.

Synimi ishte që kur kompania të falimentonte, pronat të ruheshin dhe bankat të mos kishin se çfarë të sekuestronin.

Mashtrimi në Shqipëri

Gazeta turke “Sabah” shkruan se kompania mëmë “Kürüm” ia faturonte një pjesë të humbjeve të saj atje, filialit në Shqipëri “Kürüm International SHA”.

Për të mbuluar këto humbje, “Kürüm International SHA” në Shqipëri aplikoi përmes bilanceve fiktive për kredi tek disa banka shqiptare duke marrë prej tyre diçka më shumë se 210 milion euro kredi prej tyre.

Drejtuesit e kompanisë akuzohen nga autoritetet turke për vepra të rënda penale si mashtrimi dhe pastrimi i parave.

Mashtrimi i kryer nga “Kürüm Demir” ka shkaktuar një shqetësim të madh në Turqi, në një moment kur sektori bankar është në vështirësi të mëdha për shkak të problemeve të mëdha ekonomike që po kalon vendi, të cilat po shoqërohen me rritje te shpejtë të kredive me probleme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë