Motosport

Probleme për Vershtapen. Në Arabi niset i pari Perez, pas tij Alonso dhe Rasëll

Gazeta Si – Probleme me makinën për kampionin Maks Vershtapen, përpara të gjithëve do të niset në garën e Jedah piloti tjetër i Red Bull-it, Serxhio Perez. Pas tij Alonso dhe Rasëll.

Edhe Red Bull-i ka probleme. Në kualifikueset e Çmimit të Madh të Arabisë, gara e dytë sezonale, Vershtapen mbeti në këmbë për një defekt trasmisioni dhe nesër do të niset nga vendi i 15-të. Skuderia kampione gjithsesi është ngushëlluar me ‘pole position’-in e Serxhio Perez, që në këtë pistë është me fat. Ka arritur ‘pole’-n e dytë në karrierë, pas atij të sezonit të kaluar.

Kohën e dytë më të mirë e zuri Ferrari i Sharl Leklerk, por për shkak të penalitetit për përdorimin e çentralinos së tretë, francezi do të niset nga vendi i 12-të. Nga rreshti i parë niset Fernando Alonso me Aston Martin, i zoti për të bërë më mirë se Mercedesi i Xhorxh Rasëll dhe Ferrari i Karlos Sainz.

Lens Stroll niset i 5-ti, para Alpine të Esteban Okon, kurse Ljuis Hemilton do ta nisë garën nga vendi i 7-të. Surpriza vjen nga talenti Oskar Piastri, që ka arritur të zërë vendin e 8-të me MekLaren, para Alpine të Gaslit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë