Lajme

Probleme me pasurinë, Besnik Cani drejt shkarkimit

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është zhvilluar seanca për anëtarin e KLP, Besnik Cani, për të cilin Komisioneri Publik ka kërkuar përfundimisht shkarkimin.

Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e Canit nga detyra, duke arsyetuar se sa i përket pasurisë, subjekti ka deklarim të pasaktë, mungesë të burimeve të ligjshme.

Për Komisionerin Publik nga shqyrtimi i dosjes u provua se subjekti gjendet në kushte të pamjaftueshme për dy shuma të blerjes se banesës.

“Subjekti ka deklarim të pasaktë, mungesë të burimeve të ligjshme. Në lidhje me pasurinë, truall 600 m2 në Paskuqan, nuk provohet burimi i ligjshëm i saj.

Lidhur me pasuritë autoveturë dhe garazh, subjekti ka deklarim të pasaktë ndër vite dhe mungesë të burimeve të ligjshme për blerjen e këtyre pasurive. Në ato vite ka një bilanc negativ prej gati 500 mijë lekë.

Në periudhën 2010-15 subjekti ka një bilanc negativ 2 milion lekë mes të ardhurave të ligjshme dhe shpenzimeve”, thuhet në arsyetimin e Komisionerit Publik.

Ndërsa sa u përket aftësive profesionale, “konfirmimi në detyrë është vendosur në vlerësim të gabuar të provave. Subjekti ndodhet në kushtet ku me veprimet dhe mosveprimet e tij, marrëdhënies së tij me një kompani tregtare, si dhe përfitimi i statusit të të pastrehut kur kryente detyrën e titullarit të Prokurorisë Fier, Komisioneri Publik rithekson se këto kushte bien ndesh me detyrën e magjistratit”.

Nga ana e tij, prokurori Cani thotë se gjykimi ndaj tij nuk po kryhet në të njëjtën mënyrë si për kolegët e tjerë. 

“Për shumën prej 6 mijë euro kam dokument që janë marrë nga baxhanaku. Kam 26 vite eksperiencë në organet e drejtësisë. Një pjesë e pasurisë si tokë, automjet dhe garazh janë përfituar nga kredi, e cila vazhdon akoma të shlyhet. Gjykimi ndaj meje nuk po kryhet i barabartë ashtu si me anëtarët e tjerë të KLP. Kërkoj respektim të të njëjtave, të drejta si anëtarëve të tjerë. Nuk është i drejtë largimi im nga radhët e drejtësisë pasi kam 26 vite që kontribuoj, pasi kemi luftuar çdo ditë me krimin e organizuar. Kërkoj mos pranimin 3 ankimit të KP për shkarkimin tim”, mësohet të jetë shprehur ai.

Prokurori Besnik Cani u konfirmua në detyrë më 27 nëntor 2018 nga trupa gjykuese e udhëhequr nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi.

Komisioneri Publik ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan, Besnik Cani, duke marrë në konsideratë edhe rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, pasi bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, prokurori Cani nuk plotësonte kushtet për konfirmimin në detyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë