Muzike

‘Problematikët s’do të pranohen’, rregullorja e koncertit të Enrique Iglesias në Tiranë ngjall debate. Iva Tiço: Nuk preket publiku i thjeshtë

Nga Gazeta Si - Këngëtari i famshëm i muzikës latine, Enrique Iglesias, i njohur për hitet e tij të shumta do të mbajë për herë të parë një koncert në Tiranë, në Sheshin Skënderbej më 30 qershor.

Enrique Iglesias si ambasador i kulturës spanjolle pritet që të “ngrejë peshë” Tiranën, duke i paraprirë Javës së Kulturës Spanjolle.

Ndërkohë që na ndajnë edhe pak ditë nga koncerti, biletat vijojnë të shiten si online, po ashtu edhe fizikisht te Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë. Blerja e biletës shoqërohet edhe me një rregullore, me disa pika që duhet të kihen parasysh nga personat që do të marrin pjesë në koncert.

Njëra pikë e rregullores thotë që organizatorët kanë të drejtë të mos pranojnë në shfaqje persona që u duken atyre të papërshtatshëm, një masë që deri më tani nuk është marrë në ndonjë koncert të mbajtur në Shqipëri.  

Gazetarja Kozeta Kurti, që ka blerë biletën për në koncertin e 30 qershorit, ka reaguar lidhur me këtë pikë të rregullores, duke e cilësuar si të pakuptimtë.

“Bleva një biletë për koncertin e Enrique Iglezias në Shqipëri, por nuk e dua më! Kush e do, të më thotë. Do ta fal në rastin më të parë. Këtë rregullore e lexova pak më vonë: Organizatorët paskan të drejtë të mos pranojnë persona që u duken atyre të papërshtatshëm. Çfarë konsiderohet e papërshtatshme? Kush do ma vlerësojë surratin? Rojet te dera? Me gjithë respektin për profesionin fisnik të rojes, ata nuk mund t’i bëjnë check fytyrës sime, sikurse të jenë çanta dhe xhepa”, shkruan Kozeta Kurti në rrjetet sociale. “Në fakt, unë e di çfarë është e papërshtatshme… këta të papërshtatshëm vetëm të vendosin të vijnë nëpër koncerte, se po vendosën, është e sigurt që do të hyjnë të parët; madje nga vip zona”, thotë Kurti.

Rregullorja e koncertit

Gazetarja Iva Tiço, e cila është përfaqësuese e ‘Login Production’, kompania organizatore e eventit, thotë për Gazetën “Si” se kjo pikë e rregullores nuk bën fjalë për publikun e thjeshtë, por për persona që ka indicie. Sipas saj, kompania e huaj që është në këtë rast organizatore, i merr masa të tilla në të gjithë botën.

“Në çdo vend të botës nëse shihen njerëz problematikë, për arsye sigurie ndalohen, pra persona të dyshimtë që ka indicie. Nuk ka lidhje me publikun e thjeshtë, janë masa që merren në gjithë botën për arsye sigurie dhe kompania e huaj ka përvojë të madhe në këto organizime. Të njëjtat kushte po implementojnë dhe këtu”, shprehet Iva Tiço, përfaqësuesja e ‘Login production’ për Gazetën “Si”.

Duke u shprehur me bindje se kjo pikë e rregullores nuk do të prekë publikun normal, Tiço thotë se kjo nuk është pjesa më e rëndësishme e koncertit.

“Kjo nuk prek asnjë njeri nga publiku normal, ndaj nuk besoj se është pjesa më e rëndësishme e koncertit. Çdokush si spektator në një organizim masiv besoj se do që të jetë i sigurt. Papërshtatshmërinë do ta vlerësojnë profesionistë të security, siç veprohet në gjithë botën”, sqaron më tej Iva Tiço.

Tiço shton se “Shqipëria në këtë rast është në axhendën e koncerteve të mëdha dhe standardet janë si në gjithë botën”.

Sipas saj, kjo pikë e rregullores nuk është e vetmja që kontestohet, pasi ka pasur zëra edhe për çmimin e biletave, duke e lidhur me rrogat e vogla në Shqipëri.

“Thonë që dhe rrogat janë të vogla, a thua se koncertet janë mall i shportës, si mielli dhe qumështi”, shton më tej Tiço për Gazetën “Si”.

Çmimet e biletave për koncertin variojnë nga 62 euro deri në 188 euro zona VIP.  

Çmimet e biletave

Duke qenë se bëhet fjalë për një emër të madh botëror, Iva Tico thotë se interesi është shumë i lartë, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon dhe më gjerë.

“Flasim për emra të mëdhenj botërorë dhe interesi është jo vetëm nga vendet e rajonit, por dhe Itali, Greqi etj. Është skena më e madhe që është bërë ndonjëherë në Shqipëri dhe pjesëmarrja më e madhe nga publiku”, thotë ndër të tjera, përfaqësuesja e “Login Productions”, Iva Tiço.

Tiço sqaron më tej se biletat do të shiten si online, si fizikisht në Teatrin e Operës dhe Baletit deri në biletën e fundit dhe nuk do të ketë ftesa apo bileta falas.  

“Mund të themi që shitja vijon me ritme tepër të larta”, shprehet ndër të tjera Tiço për Gazetën “Si”.

Artisti 48-vjeçar Enrique Iglesias njihet për hite si “Bailamos”, “Hero”, “Subeme la radio”, “Ring My Bells” e shumë të tjera.

Pas tij, më 20 korrik Tiranën do ta vizitojë një tjetër yll i muzikës latine, Ricky Martin, i cili po ashtu do të mbajë koncert në sheshin “Skënderbej”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë