Të alarmuar për një vendim të Këshillit Bashkiak për kalimin në pronësi të privatëve të disa pronave të Bashkisë së Tiranë, një grup artistësh kanë hyrë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku u mor vendimi. Artistët kanë qenë të shqetësuar nëse vendimi i Bashkisë kishte lidhje me truallin e Teatrit Kombëtar dhe fillimisht janë përplasur me policët e Bashkisë që nuk i lejuan të hyjnë brenda.
Pas disa përpjekjeve një grup prej tyre hyri në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku dëgjoi sqarimet e Aldrin Dalipit, kreut të Këshillit. Dalipi përsëriti disa herë se informacionet e artistëve ishin të gabuara dhe se protesta e tyre ishte një keqkuptim.
“Ky vendim nuk ka asnjë pasojë për truallin e Teatrit Kombëtar, ky propozim është shumë i qartë, është shumë i ndershëm. Për t’ju dhënë garanci meqë situata erdhi kshtu, kjo është totalisht një situatë keqkuptimi, por në fund të votimit do ta shtojmë në relacion, se ky vendim nuk ka asnjë pasojë për truallin e Teatrit Kombëtar. Do ta shtojmë në relacion” u shpreh Aldrin Dalipi.
Alarmimi i artistëve vjen si pasojë e mungesës së transparencës si nga Bashkia, ashtu edhe nga MInistria e Kulturës në lidhje me projektin e Teatrit Kombëtar. Në dalje të mbledhjes artistët thanë se shpresojnë që fjalët e Aldrin Dalipit të ishin të vërteta dhe se shumë prej tyre nuk e kuptojnë legjislacionin, pavarësisht përpjekjeve për të lexuar ligjet, aktet nënligjore apo rregulloret në lidhje me këtë çështje, sepse nga autoritetet nuk jepet asnjë sqarim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.