Lajme

Prishja e kontratës së portit të Durrësit, Kurum kërkon në arbitrazh 100 mln $

Kompania ‘Durrës Container Terminal’ Sha dhe investitorë të tjerë në koncesionin e përpunimit të kontejnerëve në portin e Durrësit, kanë bërë një padi në arbitrazh pas prishjes së kontratës nga një gjykatë shqiptare dhe sekuestrimin e terminalit nga përmbaruesit.

Çështja kundër Shqipërisë është regjistrua në 23 shtator në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjes së Investimeve, ICSID, në Uashington.

Padia kundër Shqipërisë është regjistruar nga kompanitë Durres Kurum Shipping shpk, Durres Container Terminal Sha, Metal Commodities Foreign Trade Corp e regjistruar në SHBA dhe Altberg Developments LP në Britani, të cilat janë investitorët në koncesionin e terminalit të kontejnerëve.

Sipas një artikulli në Global Arbitration Review, një revistë e specializuar për çështjet e arbitrazhit, Kurum dhe investitorët e tjerë kërkojnë një dëmshpërblim nga shteti shqiptar të barabartë me 100 milionë euro.

Anulimi i kontratës së koncesioni është ekzekutuar disa muaj më parë, pas një beteje të gjatë ligjore për prishjen e kontratës së partneritet publik private midis kompanisë turke dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Ministria paditi Koncesionarët duke kërkuar prishjen e kontratës për shkak të mosrespektimit të saj. Kompania ka pasur probleme të shumta, si vonesa në përdorimin e vinçit të portit, mosrespektimin e përmasave të tij, bllokimin shumë herë të punës apo dhe përplasje me operatorët e tjerë në terminal.

 Koncesioni ishte miratuar nga qeveria Berisha dhe përcaktonte menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik të Terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit.

Kompania turke rezulton që të ketë pasur probleme të shumta edhe mes aksionerëve, ndryshime aksionesh, apo edhe vonesa në pagesa. Në maj 2016, aksionet e Durrës Kurum Shipping u ulën nga 99.9% në 51%, të MARINER u rritën nga 0.09 në 48% dhe të Global Liman Isletmeleri nga 0.1% në 1%.

Sipas bilancit të vitit 2015, Durrës Container Terminal kishte të ardhura prej 980 milionë lekë dhe një fitim bruto prej 413 milionë lekësh (rreth 3 mln euro), me një normë fitimi të lartë prej 42%. Fitimet e kompanisë u trefishuan në 2015-n, ndërsa ajo u rendit e 42-a mes 100 sipërmarrjeve më të mëdha sipas fitimit në Shqipëri.

 Pavarësisht fitimeve të larta, koncesionari i është shmangur përmbushjes së detyrimeve, duke detyruar Ministrinë të kërkojë në Gjykatë prishjen e kontratës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë