Komunitet

‘Prind 1’ dhe ‘Prindi 2’ në kopshtet e Tiranës. Bashkia: Nuk e kemi shpërndarë ne, formulari ynë është ndryshe

Një formular që është shpërndarë në kopshtet e Tiranës dhe që zëvendësonte fjalën ‘nënë’ dhe ‘baba’ me  “prindi 1” dhe “prindi 2” po qarkullon në rrjete sociale dhe ka ngjallur revoltën e shumë prindërve. Denoncimi u bë nga pastori Akil Pano, i cili thotë se kjo është bërë pa dijeninë e prindërve dhe se është në shkelje të plotë të ligjit.

“Ky formular është shpërndarë në kopshtet e fëmijëve, sapo ma dërguan. Në shkelje të plotë të ligjit mbi kodin e familjes emri MAMI dhe BABI vendosen në kllapa dhe zëvendësohen me Prindi 1 dhe Prindi 2. Agjenda Gay ka nisur zbatimin, qetësisht dhe në shkelje me Kodin e Familjes që është në fuqi në Shqipëri. Ky lloj imponimi është dhunë dhe është diktatura e minorancës mbi shumicën. I bëj thirrje:  Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Arsimore, Drejtorive të Shkollave dhe Institucioneve të Edukimit Parashkollor, të tërheqin menjëherë nga përdorimi këtë formular, i cili është ne shkelje me ligjin dhe kodin e familjes dhe fyen pjesën me te madhe të shqiptarëve”, deklaron Pano, i cili është një nga kundërshtarët e propozimit të komunitetit LGBTI për zëvendësimin e fjalëve “nënë” dhe “baba” me “prindi1” dhe “prindi 2”, temë kjo që u hap edhe në Shqipëri pasi nisi të diskutohen në Francë dhe Britani të Madhe.

Formulari që denoncoi pastori Akil Pano

Gazetasi.al kontaktoi me Bashkinë e Tiranës, në varësi të së cilës janë kopshtet e kryeqytetit.

Zëdhënësi i Bashkisë konfirmoi që formulari nuk ka lidhje me institucionin dhe se formularët që jepen nga Bashkia e Tiranës, kanë tërësisht format tjetër.

Nga ana e Bashkisë u konfirmua se në formularët zyrtarë që përdoren për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte nuk përdoren terma të tillë dhe shoqërohen me logon zyrtare të Bashkisë së Tiranës.

Për këtë çështje ka reaguar edhe “Aleanca LGBT” dhe “Pro LGBT”.

“Ne nuk kemi asnjë informacion lidhur me formularin që pretendohet se është shpërndarë në kopshte të Tiranës, ku amësia dhe atësia përcaktohen mes opsioneve prindi 1 dhe 2. Ne si organizata ndajmë të njëjtin kuriozitet për të ditur çfarë përmban ai formular, kush e ka hartuar, kur është shpërndarë dhe çfarë të dhënash synon të mbledhë”, thotë LGBT.

Bashkia e mohon, LGBT po ashtu, atëherë pyetja që mbeti pa përgjigje është se kush i ka shpërndarë këta formularë në kopshtet e Tiranës?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë