Gazeta Si – Davide Pecorelli nuk dorëzohet dhe as lëkundet para organeve ligjzbatuese italiane në lidhje me identitetin e priftit (nuk dihet nëse është shqiptar apo italian), i cili e ndihmoi të inskenojë vetëvrasjen e tij një vit e gjysmë më parë në Pukë.
Italiani i famshëm në Shqipëri, është marrë në pyetje para disa ditësh në Peruxhia për 4 orë, përmes letër-porosisë ndërkombëtare me kërkesë të Prokurorisë së Pukës.
Sipas mediave italiane, në 29 mars, sipërmarrësi dhe ish-gjyqtari sportiv, është pyetur nga hetuesit për tre veprat penale për të cilat po hetohet në vendin tonë, që janë zjarrvënie e qëllimshme, dhunim të varreve dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Sipas “La Nazione”-s, Pecorelli para grupit hetimor përsëriti atë që kishte ndodhur në fillim të janarit 2021 në Shqipëri.
“Ata insistuan mbi të gjitha për të ditur identitetin e priftit që më ndihmoi për të inskenuar zjarrin në makinë, pra vetëvrasjen time. Por nuk do ta zbuloj identitetin e tij”, – tha italiani.
Davide Pecorelli shpreson që në Shqipëri t’ia hedhë maksimumi me një gjobë, ndonëse Kodi Penal shqiptar parashikon deri në 5 vjet heqje lirie për veprat penale për të cilat akuzohet.
Por sërish, teksa përcjell këto të dhëna, media italiane shkruan se Pecorelli nuk është i mësuar të paguajë as borxhet.
Sipërmarrësi u gjet më 17 shtator 2021 në bordin e një gomoneje pranë ishullit të Montecristos.
“Selfie” me thasë me monedha ari
Ditët e fundit, ai ka publikuar një ‘selfie’ me thasë plot me monedha ari të thesarit të Montecristo-s. Në kokë mban të njëjtën kapele me të cilën shkoi për herë të parë në Prokurorinë e Peruxhias.
“Nuk është fotomontazh”, thekson sipërmarrësi, i cili rikthehet të flasë pas disa muajsh reflektim. Por ku ndodhet thesari? “Për momentin nuk mund të them asgjë”, shton ai.
Fotot janë shkrepur në brendësi të garazhit misterioz të Porto Santo Stefano, të cilat posedohen edhe nga Prokuroria e Grosetos, që hetoi 46-vjeçarin për të gjetur monedhat e vjedhura në 2019-ën në Sovana.
Nga deti i Vlorës në ishullin Montecristo
Tani, Pecorelli thotë se po shkruan një libër me të vërtetën e tij, të për cilin shprehet do ta publikojë shtatorin e këtij viti, ndërsa tregon se është tërhequr përfundimisht nga bota e sipërmarrjes dhe është punësuar në një agjenci në fushën e prodhimit.
Davide Pecorelli u bë i famshëm në janar të vitit 2021, kur u raportua i humbur në Pukë, atje ku u gjet e djegur makina që kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje njerëzore.
Pavarësisht nga dyshimet e mëdha që flisnin për një krim të mundshëm në territorin shqiptar, biznesmeni italian më 17 Shtator u gjet shëndoshë e mirë.
Pecorelli zbuloi se gjatë kohës që ishte shpallur i zhdukur, kishte qëndruar në Vlorë, ku tha se shijonte detin dhe luante futboll me miqtë e tij shqiptarë. Pas 9 muajve i shpallur i zhdukur, ai u gjet në një gomone pranë ishullit Montecristo.
Pecorelli ishte martuar me një grua shqiptare, me të cilën ka edhe një fëmijë, si dhe disa biznese. Ai ishte divorcuar nga gruaja italiane më herët, me të cilën kishin bashkë dy fëmijë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.