Politike

Nga Rama te Meta e Basha, Kurti takon liderët e politikës shqiptare

Lideri i Vetëvendosjes në Kosovë, Albin Kurti, ka takuar sot njëri pas tjetrit përfaqësuesit më të lartë të politikës shqiptare, nga Kryeministri Edi Rama, te Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha.

Takimi i Kurtit me Kryeministrin Rama ishte me dyer të mbyllura. Ai zgjati rreth 60 minuta, por deri tani nuk janë bërë publike detaje nga biseda mes të dyve.

Pastaj ishte radha e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të takonte Albin Kurtin. Pas takimit, Meta ka shkruar në faqen e tij në Facebook se ka ndarë me Kurtin ide të vyera për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Meta e ka uruar Kurtin për fitoren në zgjedhje dhe për procesin e shkëlqyer zgjedhor.

Meta dhe Kurti. Gazeta Si, 3 mars 2021

“Sot kisha kënaqësinë të prisja në një takim vëllazëror, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, fitues të zgjedhjeve të fundit në Kosovë. E urova për fitoren, por mbi të gjitha për procesin e shkëlqyer zgjedhor, që realizoi Kosova.

Ndamë shumë ide të vyera për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona dhe përshpejtimin e proceseve integruese, për të garantuar një të ardhme më të mirë dhe të sigurt europiane, që meritojnë qytetarët tanë”, - shkruan Presidenti Meta.

Kurti dhe Basha. Gazeta Si, 3 mars 2021

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka pritur sot në një takim Albin Kurtin, kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes në Kosovë, që ndodhet në Shqipëri.

Basha ka bërë pas takimit një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku mes të tjerash thekson se Kosova i dha Shqipërisë dhe vendeve të rajonit modelin e duhur të organizimit të zgjedhjeve. Kreu i PD-së e garanton Kurtin se si kryeministër i ardhshëm do të bëjë gjithçka për të forcuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Prita sot me kënaqësi liderin e Lëvizjes Vetëvendosjes, kryeministrin në ardhje të Kosovës, Albin Kurti. E urova për fitoren e zgjedhjeve parlamentare dhe modelin që Kosova i dha Shqipërisë dhe gjithë rajonit për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve edhe pse në kushte pandemie.

Biseduam për sfidat që ka përpara Shqipëria dhe Kosova. Nënvizova gjatë takimit me zotin Kurti nevojën jetike që ka Shqipëria për ndryshim në zgjedhjet e 25 Prill dhe e garantova se nesër si kryeministër i Shqipërisë do të bëj gjithçka për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin me Kosovën në funksion të zhvillimit ekonomik, punësimit, njohjes së saj nga vende qe ende s’e kanë bërë, si dhe antarësimit në institucionet ndërkombëtare”, - ka shkruar Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë