Analize

Presidenti maqedonas: Na shkëputni nga Shqipëria dhe na pranoni në BE!

"Të shkëputësh rrugën europiane të Maqedoninë e Veriut nga ajo e Shqipërisë duke i dhënë dritën jeshile Shkupit dhe duke shtyrë fillimin e bisedimeve me Tiranën, nuk është një vendim i lehtë, por është e vetmja rrugë për të ecur përpara”. Kjo ishte kërkesa e presidentit Stevo Pendarovski për Bashkimin Europian në një intervistë gjatë vizitë në Bruksel të enjten.

Kreu i shtetit fqinj tha për EURACTIV se Maqedonia e Veriut duhet të trajtohet e “veçuar” nga Shqipëria, duke thënë se “paketa dyshe” do të dëmtojë vendin e tij.

"Problemi më i madh tani është shkëputja me Shqipërinë. Ajo tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe situata po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë, dhe jemi çarmatosur ", është shprehur presidenti maqedonas.

56 vjeçari, i cili ka marrën detyrën më 12 maj, kujton se procedura e “decouplage” është përdorur dy herë të tjera në dëm të Maqedonisë, në vitin 2011 kur u shkëput nga Mali i Zi dhe në 2013 kur u shkëput nga Serbia, ku kjo e fundit përfitoi hapjen e negociatave dhe Shkupi jo, për shkak të problemit të emrit me Greqinë.

“Në të dyja rastet, ishte një lajm i madh për rajonin që ata hapën bisedimet. Por tani ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë, kemi nënshkruar marrëveshjen me Greqinë, e cila ishte një mrekulli politike”, tha presidenti.

Stevo Pendarovski dhe Donald Tusk

Ai është shprehur se tanimë është pothuasje e sigurt se vendimi për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën mund të shtyhet deri në shtator, pasi Bundestagu Gjerman do të debatojë mbi zgjerimin e unionit vetëm pas pushimeve të verës.

Pendarovksi ngreh shqetësim se deri atëherë mund të jetë tepër vonë, pasi konteksti politik në Ballkan mund të ndryshojë në muajt e ardhshëm dhe të krijohen probleme të reja. Presidenti maqedonas thotë se vendi fqinj do të bashkohet me NATO-n ose në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, por perspektivat për hyrjen në BE janë ende të pasigurta.

"Para zgjedhjeve të Parlamentit Europian, ne në rajon, kishim frikë se euroskeptikët do të dilnin kundër nesh, por kjo nuk ka ndodhur. Një shumicë e madhe e eurodeputetëve nuk e kundërshtojnë zgjerimin" tha Pendarovski.

Ndërkohë që Pendarovski ndodhej në Bruksel për të lobuar për hapjen e negociatave, kryeministri Zaev takoi kancelaren Angela Merkel në Berlin. "Ishte përpjekja jonë e fundit për të marrë një datë për hapjen e negociatave në qershor apo korrik. Problemi është se Bundestagu nuk e ka marrë vendimin brenda afatit. Tani të presim dy seancat në shtator ku pritet do të debatojnë për zgjerimin e unionit”, deklaroi Pendarovski.

Euroactiv citon edhe deputetin e CDU-së Johann Waderphul, i cili thotë sipas informacioneve dhe vlerësimeve të tija, se Maqedonia e Veriut pritet të marrë miratimin e Bundestangut gjerman deri në fund të shtatorit.

“Kapitujt e parë mund të hapen në dhjetor ", tha ai, pa përmendur në asnjë moment Shqipërinë.

Edi Rama dhe Zoran Zaev

Pendarovski, megjithatë, tha se shtatori ishte larg dhe se Shkupi do të preferonte shumë qershorin, korrikun, apo edhe gushtin.

"Pse them tani dhe jo më vonë? Sepse asnjë politikan në Europë nuk ka asnjë kundërshtim ndaj dosjes sonë. Askush nuk është duke thënë se "Maqedonia e Veriut nuk e meriton". Asnjë. Duke qenë kështu, dhe duke pasur shkëputjen nga Shqipëria, na jepni datën, ju lutem ", tha ai.

“Greqia po mban zgjedhjet parlamentare më 7 korrik dhe partia opozitare Demokracia e Re e cila mund të vijë në pushtet, ka një pozitë shumë më skeptike ndaj marrëveshjes së emrit dhe nëse i shtyjmë negociatat për në vjeshtë, Athina mund të kenë një pozicion shumë më të ngurtë për hapjen e bisedimeve", tha presidenti maqedonas.

Së dyti, ai paralajmëroi për rritjen e tensionet me një tjetër fqinj të BE-së Bullgarine, me të cilin Shkupi nënshkroi një marrëveshje mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ra dakord të ngrinin një komision të përbashkët për të punuar në çështje të diskutueshme si historia, gjuha ose përkatësia etnike.

Por komisioni ka bërë pak përparim, i cili po kritikohet publikisht në Sofje, për shkak të pretendimeve gjithnjë e më nacionaliste nga Bullgaria. "Ka forca atje që thonë se bullgarët dhe maqedonasit janë një dhe se jemi një komb që jeton në dy vende dhe kjo është e patolerueshme për t’u pranuar", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë