Motosport

Presidenti i Formula 1 nën hetim! Dyshohet se ka ndërhyrë për rezultatin e një gare

Gazeta si - Presidenti i FIA-s (Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit) është nën hetim, pasi ka bërë presion për revokimin e një penaliteti ndaj Fernando Alonsos në garën e Arabisë Saudite sezonin e kaluar.

Nuk ka paqe në F.1. Ende pa u mbyllur çështja e drejtuesit kryesor të Red Bull-it, Kris Horner, një tjetër çështje rrezikon të minojë besueshmërinë e sistemit. Presidenti i FIA-s, Mohamed Ben Sulajem, po hetohet, sepse ka tentuar të influencojë rezultatin e një gare të sezonit të kaluar.

BBC ka pasur akses te një raport i një përgjegjësi të FIA-s drejtuar komitetit etik, ku flitet për ndërhyrje të Ben Sulajem në lidhje me revokimin e një penaliteti prej 10 sekondash të dhënë për Fernando Alonson në Arabinë Saudite, më 19 mars 2023.

Në raport citohet një burim anonim, sipas të cilit Ben Sulajem ka thirrur sheikun Abdullah bin Hamad bin Isa Al Khalifa, zëvendëspresident i FIA-s për sportin në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikën Veriore, që ndodhej në Arabi si zyrtar. Presidenti i ka komunikuar se, sipas tij, penaliteti duhej hequr.

Çfarë ndodhi në Arabi? Alonso mori një dënim fillestar prej 5 sekondash, pasi vendosi makinën e tij pjesërisht jashtë kuadratit para nisjes së garës. Spanjolli e shleu në pit stop-in e parë, më pas mori një tjetër penalitet, këtë herë 10 sekonda, pasi mekanikët kishin prekur makinën në pjesën e pasme me një mjet pune pikërisht gjatë atyre 5 sekondave. Dhe kjo nuk lejohet sipas rregullores.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë