Politike

President-Qeveri “luftë” dhe për tërmetet. Xhaçka, letër Metës: Dekreto ligjin e Emergjencave


Beteja mes presidentit Meta dhe qeverisë po zhvillohet jo vetëm në akuza dhe kundërakuza për sa i përket nismës për shkarkimin e kreut të shtetit, apo dekretet për anulimin zgjedhjesh, por edhe për masat për parandalimin e fatkeqësive natyrore.
Presidenti Ilir Meta dy ditë më parë kërkoi dhënien e informacionit për masat e marra nga qeveria për parandalimin e katastrofave, pas deklarimit publik të Drejtorit të Institutit Gjeodinamik të Greqisë, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare, me zë dhe figurë, ku paralajmëronte rrezikun apokaliptik të tërmeteve, ku përfshinte edhe Shqipërinë.
Për këtë presidenti i kishte drejtuar një shkresë zyrtare kryeministri Edi Rama, zv.kryeministri Erjon Braçe dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka ku i kërkonte informacion zyrtar, duke u bazuar në kriteret kushtetuese e ligjore.
Pas dy ditë “heshtjeje” dhe refuzimi institucional erdhi edhe reagimi zyrtar i ministrisë së Mbrojtjes, ku e cilëson të çuditshëm parashikimin e kreut të shtetit për tërmetet.
“Përfitoj nga rasti për t’ju informuar ju, e përmes jush edhe mbarë opinionin, pas konsultimeve me Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), se aftësia për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmiologët tanë dhe çdo sizmiolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë sizmiologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për shqetësimin tuaj. Besoj që jeni informuar, që në një reagim të tij ndaj alarmit tuaj, ai është shprehur disi i çuditur mbi lajmin e rremë, siç e quan ai duke thënë se, “nuk mundem dhe asnjëherë nuk kam bërë asnjë parashikim specifik për tërmete”. Shpresoj që përgjigjja e sizmiologut të sipërcituar, e cila përputhet edhe me qëndrimet e sizmiologëve shqiptarë e sizmiologëve në mbarë botën, i jep një përgjigje ezauruese arsyes së shqetësimit tuaj: tërmetet janë të paparashikueshëm”, shkruan Xhaçka në letrën drejtuar kreut të shtetit.

Letra e ministres Xhaçka drejtuar presidentit Meta


Ministrja e Mbrojtjes gjithashtu i kujton presidentit Meta që të mos e vonojë dekretimin e ligjit të miratuar së fundmi nga Parlamenti që ka të bëjë me emergjencat civile.
“Shprehja më e qartë e seriozitetit të punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”, që pret sot dekretimin nga ana juaj. Është një ligj i hartuar me ekspertizën e mbështetjen e ekspertëve më të mirë vendas e të huaj, dhe që do të transformojë qasjen e vendit tonë ndaj emergjencave duke e zhvendosur fokusin nga reagimi, tek parapërgatitja, parandalimi e zvogëlimi i riskut. Unë besoj që duke dekretuar këtë ligj, pa humbur kohë, ju do të jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit tonë për t’u përballur sa më mirë, e me sa më pak dëme me çdo lloj fatkeqësie natyrore, përfshirë edhe tërmetet, të cilat, pavarësisht dëshirës sonë, në fund, mbeten të pakontrollueshme e të paparashikueshëm”, mbyll letrën e saj ministrja.
Kërkesa e presidentit u shoqërua me refuzim nga ana e qeverisë. Vetë kryeministri Edi Rama do ta ironizonte alarmin e presidentit, duke u shprehur se “mjafton një dekret dhe mund ta shtynte rënien e tërmetit”.
Por, Presidenca nga ana e saj insiston në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë dhe të marrin me seriozitet një çështje të tillë, duke theksuar se lëkundjet e tërmetit po ndodhin afër Shqipërisë, në Greqi dhe jo në ndonjë vend të largët. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Bahri Shaqiri doli në një konferencë për shtyp, pas reagimit të kryeministrit Rama, duke kërkuar mbledhjen e këshillit.

Bahri Shaqiri, këshiltari për Sigurinë i Presidentit


“Mungesën e përgjigjes së ministres së Mbrojtjes për takim institucional, lidhur me këtë çështje, në Institucionin e Presidentit të Republikës; Krizën e rëndë institucionale që ka kapur vendin, përplasjen që ekziston mes institucioneve qendrore dhe lokale, që sjell si pasojë vështirësi në ushtrimin e kompetencave të organeve përgjegjëse; Qëllimi i kësaj Kërkese ishte informimi mbi funksionalitetin e institucioneve të shtetit në shërbim të qytetarëve, me qëllim parandalimin dhe minimizimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve. Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së Tij me përgjegjësi të plotë, ka ndjekur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimi të bërë publik nga Drejtori i Institutit të Gjeodinamikës në Greqi, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare. Greqia nuk është vend fqinj me Zelandën e Re, por me Shqipërinë”, deklaroi Shaqiri.
Presidenca e cilësonte të papranueshme neglizhencën e institucioneve për të zbatuar ligjin në dhënien e informacioneve.
“U kujtojmë kryeministrit dhe ministrave, se e kanë për detyrë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, t’i përgjigjen me seriozitet të plotë Presidentit të Republikës mbi planin e masave në shërbim të qytetarëve. Çdo nënvlerësim i ushtrimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të institucioneve të tjera do të shënohet me vëmendje në Institucionin e Presidentit. Presidenti i Republikës garanton se askush nuk do ta ndalojë në ushtrimin e kompetencave të Tij kushtetuese, me përgjegjësi të plotë dhe të papërkulur në interesin më të mirë të funksionimit të shtetit, si dhe në mbrojtjen e interesit më të mirë qytetar, publik dhe kombëtar”, do të theksonte Shaqiri, ku më pas presidenca do të jepte edhe linqet e lajme të botuara nga mediat ndërkombëtare për rrezikun që mund të shfaqej.
Këtyre qëndrimeve do t’i kundërpërgjigjej ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, e cila do të ironizonte thirrjet e lëshuara nga Presidenca. “Baba Xhike të kemi rixha, nxirr një dekret e shtyje atë tërmet se na le pa gjumë! Kjo ishte batuta më e bukur e rrjetit për parashikuesin e parë në botë të tërmetit”, shkruan Spiropali në rrjetet sociale.

https://twitter.com/elisaspiropali/status/1155948270088118273


Përplasje mes Presidencës dhe Qeverisë nuk do të mbyllej me kaq, pasi zëdhënësi Tedi Blushi do të reagonte sërish. “Papagajtë nuk kanë nevojë për fakte dhe as për argumente, ata vetëm përsërisin veten çdo herë. Për ata që kanë dëgjuar sot "zëdhënësen" e re në Shqipëri të z.Tselentis, po u rikujtojmë shkrimet e publikuara në mediat ndërkombëtare dhe kombëtare që i gjeni në linkun më poshtë. Ndërsa për ligjin "Për Mbrojtjen Civile" bën mirë të jetë e informuar se është dekretuar para se të përfundojë afati!”, do të reagonte Blushi ndaj ministres Spiropali.

https://www.facebook.com/blushited/posts/10157414152082760

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë