Politike

Presidenca: Kush mori mandat me krim zgjedhor mos të ulet në Kuvend

Pas përfundimit të mbledhjes së parë të komisionit hetimor për shkarkimin e llir Metës, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi deklaroi përmes një postimi në Facebook se emergjente mbetet  “hetimi i krimeve zgjedhore”, pasi sipas tij procesi zgjedhor i 25 prillit nuk ka përfunduar ende.

“...Të gjitha krimet zgjedhore duhet të zbardhen, pa vonesë dhe të gjithë ata zyrtarë, të çdo niveli, të cilët kanë konsumuar vepra penale për cenimin e standardeve të procesit të 25 prillit duhet të përgjigjen përpara ligjit.

Të gjithë duhet ta ndihmojmë drejtësinë me fakte e të dhëna, që zbardhin të vërtetat e këtij procesi.

Cilido, që ka kryer krime zgjedhore duhet të ndëshkohet dhe nuk e meriton mandatin për në Kuvendin e Shqipërisë.

Çdo kandidat, që ka përfituar mandat me krime zgjedhore nuk ka të drejtë të ulet në Kuvend dhe të përfaqësojë popullin shqiptar.

Është tepër e rëndësishme, që çdo votë të numërohet dhe rinumërohet me transparencë deri në fund, sipas Kodit Zgjedhor. Çdo proces ankimor dhe kushtetues të shqyrtohet me objektivitet dhe paanësi.

Drejtësia duhet të funksionojë tani!”, shkruan zëdhënësi i Presidentit.

 “Kjo është e rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit dhe asnjë ‘shashkë’, që synon të shpërqendrojë fokusin nuk meriton asnjë sekondë vëmendje”, vëren ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë