Politike

Hapat që do ndiqen për shkarkimin e Metës, Komisioni do të thërrasë për dëgjesë Presidentin

Komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, e mbylli mbledhjen e parë të punës me miratimin e planit paraprak që konsiston në të drejtën që ka Presidenti për t’u shprehur në këtë komision dhe anasjelltas, në marrjen e të dhënave përfshi edhe kërkesën e një prej anëtarëve Spartak Braho për paraqitjen e pamjeve filmike të cdo qëndrimi të Presidentit para zgjedhjeve, në përgatitjen e planit përfundimtar të hetimit si dhe marrjen e ekspertëve vendas apo të huaj.  që do të ndihmojnë në çështje të doktrinës, apo jurisprudencës brenda apo jashtë vendit.

“...Do të kemi një dëgjesë me Presidentin e Republikës. Do të miratohet raporti përfundimtar, e më pas, do të jetë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për të vendosur nëse ka shkaqe të parashikuara nga Kushtetuta për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Do të mblidhemi që ta përmbushim detyrën tonë me kujdes”, tha kryetari i komisionit hetimor Alket Hyseni.

Më shumicë votash, deputetja e PS Klotilda Bushka u zgjodh sekretare e komisionit hetimor, ndërsa Spartak Braho, nënvizoi gjatë mbledhjes që asnjëri nga anëtarët të mos dalë e të prononcohet në media.

Ai tha ndër të tjera, që krahas të dhënave me shkrim, në lidhje me shkeljet e supozuara ndaj Presidentit, të ilustrohen edhe pamje filmike.

“Ne nuk duhet të prononcohemi për mediat, që presidenti është kështu apo ashtu. Të caktohet dikush që të flasë për mediat.

Ne do të na nevojitet të njohim jo vetëm deklarimet e Presidentit, por edhe filmimet, nuk i duam vetëm të shkruara duhet të kemi tabelën e të shohim publikisht të gjitha imazhet që akuzohet Presidenti.

Kjo është më mirë për ne kur i shohim, dëgjojmë, por edhe për publikun”, tha Braho. Edhe Vasilika Hysi një tjetër anëtare e komisionit kërkoi që të këtë një njoftim të hollësishëm për media pas cdo mbledhje të komisionit

Ndërsa deputetja Klotilda Bushka kërkoi që në planin paraprak të hetimit të jenë dhe opinionet e Komisionit të Venecias.

Nga ana tjetër deputeti Myslim Murrizi propozoi t’i kërkohet informacion agjencive të zbulimit se si kanë ndikuar deklaratat e Presidentit.

“ Do doja që në emër të komisionit, t’i kërkohej informacion zyrtarisht agjencive ligjzbatuese, SHISH etj për t’u njoftuar si komision se çfarë informacionesh kanë pasur gjatë 30 ditëve fushate. Çfarë ndikimi kanë pasur në kontingjente deklaratat e presidentit për nxitje dhune. Si e kanë parë ata situatën underground (nën rrogoz)”, tha Murrizi.

Mbledhja e parë e komisionit përfundoi në më pak së një ore ndërsa u nënvizua fakti se ai duhet të vijojë me ritme të shpejta pasi mandati i këtij komisioni është vetëm tre jave.

Komisioni hetimor u votua me 97 vota pro dhe 6 kundër.

49 deputetë të mazhorancës iu drejtuan më herët Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Vendimi i shkarkimit të Presidentit duhet të mbështetet nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Kuvendit.

Anëtarët e komisionit hetimor janë:  Kryetar: Alket Hyseni; Nënkryetar Myslym Murrizi; Sekretar: Klotilda Bushka; Anëtarët Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka, Arlind Çarçani; Zëvendësues: Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia dhe Eugen Bojaxhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë