Ekskluzive

Premtuan muzikë, kulturë dhe binjakëzim me Iranin, si u lejuan të dyshuarit që të regjistrojnë shoqatën, që u deklarua jopolitike

Në kohën kur procesi ndaj një tjetër ‘spiuni” të dyshuar nuk është hapur ende në Gjykatën e Posaçme të ndodhur në kryeqytet, shokët e tij që u ekspozuan nga shkresat që ju gjetën në zonën e Selvisë janë shtetasit në banesat e të cilëve ja behu Byroja Kombëtare e Hetimit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Njëri ndër ta, Hassan Heurani, sipas antiterrorit që preferon të flasë në rrugë jozyrtare për gazetën Si është njëri nga anëtarët e shoqatës "ASSOCIATION FOR THE SUPPORT OF IRANIANS LIVING IN ALBANIA", e cila ekziston sipas aktit të themelimit e krijuar me siglën ASILA.

Kërkesa e dorëzuar nga një shtetas shqiptar me inicialet D.M. tregon si themelues të shoqatës Hassan Hayrany, shtetasin shqiptar G. Th. Hassan Shahbaz Hosseineh, Reza Mezgi dhe shtetasi tjetër shqiptar V.V.

Antiterrori i thotë gazetës Si se ata vendosën të krijojnë shoqatën në maj 2021, si një organizatë jofitimprurëse që ka kompetencë për të vepruar në të gjithë vendin dhe që sipas dokumentave të krahasuara në realitet ajo ishte edhe vendbanimi i disa iranianëve me leje qëndrimi në Shqipëri.

Me bazë përballë shkollës “Gjon Buzuku”, ajo që aprovoi gjykata civile e Tiranës ishte sipas prezantimit që themeluesit dorëzuan në kërkesë padi me qëllim integrimin e iranianëve në jetën sociale dhe ekonomike, krijimin e binjakëzimit me organizata të tjera qeveritare dhe joqeveritare brenda dhe jashtë Shqipërisë me Republiken Islamike të Iranit dhe jo vetëm, për shkëmbim eksperience për zhvillimin e kulturës midis vendeve tona.

Atyre ju miratua nga gjykata shqiptare edhe një pikë tjetër që flet për lobim. Burimet e antiterrorit që ndërkohë vëzhgonin lëvizjet e iranianëve midis të cilëve më kryesori konsiderohet një 53-vjeçar, me leje qëndrimi në Shqipëri dhe me lidhje të forta në Gardën Revolucionare Iraniane shtojnë “shoqatës ju pranua lobimi shoqëror dhe ekonomik midis Shqipërise dhe Republikës Islamike te Iranit në fushën e veprimtarisë së kësaj shoqate dhe me gjerë si dhe ndihmës dhe konsulencës e çfarëdo lloj natyre, sipas objektit të veprimtarisë midis vendeve respektive, duke ndihmuar të gjithë anëtarët e shoqatës, por jo vetëm ata, si për studime apo punësime në vendet respektive. Të ruajë dhe pasurojë traditën kulturore dhe artistike të hershme dhe të re të kombit tonë, si dhe forcimin e miqësisë midis dy vendeve tona”.

Duke premtuar se do përhapnin muzikën e lehtë, folklorin shqiptar dhe atë persian, konkurse e spektakle dhe do të organizonin takime kulturore artistike anëtarët premtonin se shoqata nuk do të ndiqte qëllime politike. Por, sipas dyshimeve të SPAK kjo shoqatë në të vërtetë mund të jetë kthyer në bazën prej nga ku nën petkun e aktiviteteve artistike, anëtarët takoheshin lirshëm e nisën rekrutimet.

Një ndër to ishte pikërisht premtimi se “shoqata ndihmon për përmirësimin e nivelit të jetesës të anëtarëve të vet, të cilët gjenden në kushte të vështira, plotësimin e nevojave bazike si: punësim, strehim, ushqim, shkollim, mjekim etj.

Shoqata zhvillon aktivitet ekonomik e tregtar, fitimin e të cilave e përdor për mbarëvajtjen e shoqates” përmend një burim i gazetës Si pranë antiterrorit që kujton se pikërishr kjo klauzolë joshi të tjerë për t’u afruar e gjithashtu, edhe për të qarkulluar paratë e dyshimta për aktivitete të dyshimta.

Ne dyshojmë, shtoi zyrtari i policisë se fondet për themeluesit deklarohen nga grante të ndryshme, donacione të ofruara nga subjekte vendase dhe të huaja si dhe çdo formë tjetër e ligjshme, që në realitet mund të jetë një nga mënyrat se si qeveria iraniane përcolli vlerat monetare për të paguar spiunët dhe të rekrutuarit.

“Gjithashtu çdo gjë mbetet nën verifikim”, shtoi burimi i gazetës Si , sipas të cilit, provat që po mblidhen po zbulojnë gjithë spektrin e agjenturës iraniane në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë