Ngjarje

Fotot e udhëheqësve të MEK digjen ‘shqip’, por dyshohet se autorët janë agjentë iranianë

Hakerat e Homeland Justice, të cilët kanë marrë përsipër sulmin ndaj sistemeve qeveritare shqiptare të disa ditëve më parë kanë publikuar një seri videosh, të cilat shfaqen persona duke djegur fotografitë e udhëheqësve të muxhahedinëve.

Qytetarët në këto video pretendohet se janë shqiptarë, por me shumë mundësi nga mënyra se si e flasin shqipen dyshimet janë se personat që djegin këto fotografi janë agjentë iranianë.

“Ata janë mashtruese dhe terroriste. Nuk dua Shqipëria! Ik nga Shqipëria”, thuhet në njërën prej këtyre videove të postuara nga Homeland Justice.

Shqipja e cunguar e personit në fjalë si dhe zëri i modifikuar sugjeron se ai nuk është shtetas shqiptar, por me shumë mundësi agjent iranian i infiltruar në vendin tonë për të goditur opozitën iraniane.

Në mes të korrikut, një aksion i SPAK, BKH dhe antiterrorit çoi në arrestimin e disa shtetasve iranianë, që në Shqipëri vepronin të maskuar nën shoqatën ASILA.

Antiterrori i tha Gazetës Si se ata vendosën të krijojnë shoqatën në maj 2021, si një organizatë jofitimprurëse që ka kompetencë për të vepruar në të gjithë vendin dhe që sipas dokumenteve të krahasuara në realitet ajo ishte edhe vendbanimi i disa iranianëve me leje qëndrimi në Shqipëri.

Me bazë përballë shkollës “Gjon Buzuku”, ajo që aprovoi gjykata civile e Tiranës ishte sipas prezantimit që themeluesit dorëzuan në kërkesë padi me qëllim integrimin e iranianëve në jetën sociale dhe ekonomike, krijimin e binjakëzimit me organizata të tjera qeveritare dhe joqeveritare brenda dhe jashtë Shqipërisë me Republiken Islamike të Iranit dhe jo vetëm, për shkëmbim eksperience për zhvillimin e kulturës midis vendeve tona.

Atyre ju miratua nga gjykata shqiptare edhe një pikë tjetër që flet për lobim. Burimet e antiterrorit që ndërkohë vëzhgonin lëvizjet e iranianëve midis të cilëve më kryesori konsiderohet një 53-vjeçar, me leje qëndrimi në Shqipëri dhe me lidhje të forta në Gardën Revolucionare Iraniane.

“Shoqatës ju pranua lobimi shoqëror dhe ekonomik midis Shqipërise dhe Republikës Islamike të Iranit në fushën e veprimtarisë së kësaj shoqate dhe me gjerë si dhe ndihmës dhe konsulencës e çfarëdo lloj natyre, sipas objektit të veprimtarisë midis vendeve respektive, duke ndihmuar të gjithë anëtarët e shoqatës, por jo vetëm ata, si për studime apo punësime në vendet respektive. Të ruajë dhe pasurojë traditën kulturore dhe artistike të hershme dhe të re të kombit tonë, si dhe forcimin e miqësisë midis dy vendeve tona”, thanë burimet për Gazetën Si.

Duke premtuar se do përhapnin muzikën e lehtë, folklorin shqiptar dhe atë persian, konkurse e spektakle dhe do të organizonin takime kulturore artistike anëtarët premtonin se shoqata nuk do të ndiqte qëllime politike. Por, sipas dyshimeve të SPAK kjo shoqatë në të vërtetë mund të jetë kthyer në bazën prej nga ku nën petkun e aktiviteteve artistike, anëtarët takoheshin lirshëm e nisën rekrutimet.

Një ndër to ishte pikërisht premtimi se “shoqata ndihmon për përmirësimin e nivelit të jetesës të anëtarëve të vet, të cilët gjenden në kushte të vështira, plotësimin e nevojave bazike si: punësim, strehim, ushqim, shkollim, mjekim etj.

Shoqata zhvillon aktivitet ekonomik e tregtar, fitimin e të cilave e përdor për mbarëvajtjen e shoqatës” përmend një burim i gazetës Si pranë antiterrorit që kujton se pikërisht kjo klauzolë joshi të tjerë për t’u afruar e gjithashtu, edhe për të qarkulluar paratë e dyshimta për aktivitete të dyshimta.

Fill pas aksionit të SPAK dhe antiterrorit, muxhahedinët anuluan kongresin vjetor që mbajnë në Kampin e Manzës për arsye sigurie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë