Ngjarje

‘100 mijë lekë është turp’… Premtonin të shisnin vota, një i arrestuar dhe një i proceduar në Tiranë

Gazeta Si - Një 52-vjeçar është arrestuar në Tiranë dhe një person tjetër është proceduar penalisht, pasi u shfaqën në një video në rrjetet sociale, duke komunikuar dhe premtuar njëri-tjetrit për shitblerje votash për një parti politike.

Sipas policisë, në pranga ka rënë Kristo Agalliu, si dhe u referuan materialet në Prokurori për shtetasin Agron Duraj, 61 vjeç.

Ky i fundit, i thoshte bashkëbiseduesit të tij në telefon, se do të sillte votues nga Kuçova drejt Tiranës kundrejt 150 mijë lekëve të vjetra për 4 vota, nga të cilat 50 mijë lekë do të përdoreshin për naftë.

“100 mijë lekë është turp. Hajde t’ia marrim kot, por turp 100 mijë lekë. Po mirë, ti dy vota ke, unë kam katër vota. Po mirë unë kam makinë vetë, ç’e dua makinën e tij unë! Po të më hedhë karburantin ai… Thoji kështu, më dëgjo, i thuaj 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë, hajde pazari i fundit”, ishte biseda e Kristo Agalliut me Agron Durajn përmes telefonit.

Sipas burimeve paraprake nga Policia e Tiranës, bëhet fjale për shit-blerje votash për koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Ky është rasti i tretë para zgjedhjeve lokale të 14 majit i konstatuar për dyshime në shit-blerje votash. Një natë më parë, Policia e Fierit shoqëroi një person në fshatin Fratar të Mallakastrës, i cili dyshohet se po blinte votat në favor të kandidatit të PD-së, Agron Kapllanaj.

Më herët u shoqërua një grua e dyshuar për blerje votash në favor të kandidatit të Partisë Demokratike për Mallakastrën.

Denoncimi për blerje votash është bërë në rrjetet sociale, ndërsa pas shoqërimit në komisariat dhe sekuestrimit të celularit, nuk ka pasur asgjë të dyshimtë. Megjithatë, nga Policia e Fierit nuk ka ende një njoftim zyrtar për dy të shoqëruarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë