Politike

Shitblerje votash për PL? Maliqi: Agalliu, votues i PS, s’ka lidhje me ne. Meta: Lojë e Çuçit

Lefter Maliqi, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Kuçovë ka përgënjeshtruar lajmin se Kristo Agalliu është arrestuar për shit-blerje votash.

Në një postim në rrjete sociale, Maliqi thotë se Agalliu është votues i PS dhe s’ka asnjë lidhje me Partinë e Lirisë apo PD.

“Përgënjeshtrim dhe shpifje e Policisë së Shtetit të urdhëruar nga Çuçi si drejtues i dështuar i Qarkut Berat. Arrestimi i Kristo Agalliut është kombinacion i metodave inskenuese të Policisë së Shtetit me urdhër të Çuçit, pasi ky shtetas me origjinë nga Kuçova është votues i Partisë Socialiste me probleme shëndetësore dhe nuk ka lidhje as me Partinë e Lirisë dhe as me PD.

Ftoj kukullën Çuçi në debat televiziv t’i nxjerr të gjitha provat! Si po kërcënojnë vartësit e tij votuesit! Si po përdor policinë natën në mbështetje të drejtorëve të Bashkisë që ndajnë ndihma, joshin natën votuesit duke fikur dritat nëpër lagjet e qytetit etj. Uragani i fitores nuk ndalet! Çuç dështaku bashkë me kandidatin kukull Kreshnik Salillari do marrin ndëshkimin e merituar! Uragani popullor nuk ndalet!” shkroi Maliqi.

Ka reaguar edhe Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.“Kjo është një lojë e Bledi Çuçit. Janë inskenime të mjera të tij. Të gjithë e dimë që Çuçi është një kapter i Edi Ramës dhe zbaton urdhrat e tij”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë