Lajme

Premtimi i Bashës: Përgjysmojmë tarifat e arsimit të lartë

Takimin me të rinjtë në zonën e Devollit e bindi edhe më fort Lulzim Bashën në akuzën e hedhur ndaj Kryeministrit Edi Rama se i ka lënë vetëm dy zgjidhje rinisë.

“Në mungesë të politikave të punësimit, e vetmja zgjidhje që Edi Rama i ka lënë rinisë është, ose të merret me drogë, ose të emigrojë”, deklaron kreu i PD-së.

Basha paralajmëron një skenar tragjik, jo vetëm për këtë brez, por për të gjithë vendin dhe si rrugëdalje sheh vetëm alternativën e opozitës.

“Nëse kjo vazhdon vendi do të marrë fund! Me të rinjtë e Devollit diskutuam për vështirësitë që të rinjtë kanë për të vazhduar studimet e larta për shkak të rritjes së tarifave dhe prej papunësinë”, thotë ai.

Kryetari i PD-së bën publik edhe vendimin e parë që do të marrë kur të vijë në pushtet.

“Detyra e parë e qeverisë së PD do të jetë përgjysmimi i tarifave për arsimin e lartë dhe pagesa e stazheve për të sapodiplomuarit. Do hartojmë ligj të ri në mënyrë që çdo i ri dhe e re shqiptare të ndjekë studimet pavarësisht nga mundësitë ekonomike të familjes”, thotë Basha.

“Një vend, rinia e të cilit në shumicë kërkon të largohet, shkon drejt shuarjes por bashkë me vendosmërinë e të rinjve shqiptarë, këtë nuk do e lejojmë!”, mbyll postimin e tij në rrjetet sociale kryetari i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë