Futboll

Premier Liga heq kompanitë e basteve si sponsorë në fanellat e skuadrave

Gazeta Si - Premier Liga heq dorë zyrtarisht nga bastet, të paktën si sponsor në fanellë. Nga sezoni 2026-27, në fund të një periudhe tranzicioni për të mbrojtur akordet në fuqi, asnjë klub nuk mund të ketë në fanellë emrin e një kompanie bastesh, fizike apo onlione, si sponsor.

Klubet kanë vendosur në unanimitet, duke u thënë ‘Mjaft’ kompanive të basteve si sponsor kryesor. Premier Liga synon të jetë mes ambasadorëve të një qasjeje të re ndaj basteve, që gjithë Mbretëria e Bashkuar e kërkon. Qeveria ka kërkuar një rishikim të normave mbi bastet dhe skuadrat kanë marrë tashmë këtë vendim, pas konsultimit me Departamentin e Kulturës, Medias dhe Sportit.

Fanella e Burnemuthit me sponsor kompani bastesh. Gazeta Si, 14 prill 2023

Po punohet gjithashtu me liga të tjera dhe me sporte të tjera për të krijuar një kod të ri për raportin mes sportit profesionist dhe basteve.

Për momentin janë 8 klube në Premier Ligë që kanë si sponsor kryesor kompani bastesh, për një vlerë prej 68 milionë eurosh në sezon. Vendimi i fundit nuk i prek marrëveshjet në fuqi, pasi hyn në fuqi sezonin 2026-27. Skuadrat mund të vazhdojnë të kenë kompani bastesh si sponsor në fanellë. Mund të firmosin edhe akorde të reja, por me afat deri në fund të sezonit 2025-26.

Po ashtu, normat e reja kanë të bëjnë vetëm me sponsorin kryesor në fanellë. Klubet mund të kenë marrëveshje me kompani bastesh, emrat e të cilave mund të shfaqen në pjesë të ndryshme të stadiumit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë