Futboll

Premier League/ Chelsea humbet ndaj Southampton, fitojnë Manchester United dhe Liverpool

Kanë përfunduar ndeshjet e sotme në “Premier League” ku ka pasur disa rezultate surprizë. Liverpool është i pandalshëm këtë sezon në Premier League. ‘Reds’ kanë mposhtur me lehtësi Leicester me rezultatin 0-4 në ndeshjen e vlefshme për javë e 19-të. Firmino në minutën e 31-të dhe 75- të, Milner në minutën e 71-të dhe Trent Alexander-Arnold në minutën e 78-të  shënuan golat e fitores. Liverpooli vazhdon të mbajë kryesimin me 52 pikë të grumbulluara, 13 më shumë se Leicester e vendit të dytë.

Arsenal nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në transfertë përballë skuadrës së Bournemouth. Ky rezultat komplikon rrugën për një vend në evropë. Dhe pse kaluan disavantazh me anë të Gosling, ekipi i Artetas arriti të shënonte me anë të Aubameyang, duke i "dhuruar" një pikë londinezve.

Debutimi i Ancelotti-t rezultoi i suksesshëm, pasi Everton mposhti ekipin e Burnley me rezultatin 1-0. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Lewin në minutën e 80-të.  Në ndeshjen tjetër Chelsea është befasur në “Stamford Bridge” nga Southampton, duke  u mundur me rezultatin 0-2, me gola të shënuar nga Martins dhe Redmond.

Fitore të rëndësishme arritën Tottenham dhe Manchester United. Në “Old Trafford” Manchester United mposhti ekipin e Newcastle me rezultatin 4-1. Pavarsisht se e nisën ndeshjen në mënyrë të gabuar pasi në minutën e 17-të Longstaff shënoi për Newcastle, vendasit arritën që të sigurojnë tre pikë. Autorët e golave për United ishin Martial në minutën e 24-të dhe 51-të, Greenwood në minutën e 36-të dhe Rashford në minutën e 41-të.

Në sfidat e tjera Sheffield barazoi me Watfod, Crystal Palace fitoi me West Ham, ndërsa Aston Villa mposhti Norwich.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë