Politike

Precedenti “Vorpsi”, PS noterizon betimin tek noteri. Meta: Cicmice!

Partia Socialiste propozon që të ndërhyhet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, ku thelbi i ndryshimeve, sipas propozuesve, synon që të shmangë në të ardhmen precedentë të ngjashëm si ai i Arta Vorpsit.

Socialistët propozojnë që paragrafi i parë i nenit 8 të ligjit aktual të ndryshohet duke “legalizuar” betimin tek noteri.

“Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetutese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon”, thuhet në draft-propozim.

Me këtë propozim, PS pranon tërthorazi se Arta Vorpsi nuk është anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndryshe nga çfarë deklaronin përfaqësuesit e mazhorancës në kulmin e përplasjes me Presidentin Ilir Meta në lidhje me këtë temë, ku kreu i shtetit dekretoi dhe më pas organizoi ceremoninë e betimit për Marsida Xhaferllarin.

Vetë Presidenti Ilir Meta i ka cilësuar provokime këto propozime të PS-së.

“Presidenti nuk është në punë dhe as në detyrë, por është në mision dhe nuk provokohet nga cicmice të tilla nga kushdo që i orkestron ato. Presidenti ka qenë dhe do të jetë garant i Kushtetutës së Shqipërisë” deklaroi ai pasi doli nga prokuroria ku dha shpjegime lidhur me kallizmin e tij penal ndaj kreut të KLD Adrian Dvorani.

Meta e mbylli me kaq komentin e tij për këtë temë dhe ftoi të gjithë që të merren me përballimin e pasojave të tërmetit me përgjegjësi.

“Kush gjen kohë në këto moment për të provokuar Presidentin dhe popullin e Shqipërisë për t’u marrë me çështje të tjera duhet ta ketë të qartë që presidenti e di shumë mirë detyrën e tij, por është dhe i ndërgjegjshëm për misionin e tij”, theksi Meta.

Drafti i plotë i propozuar nga PS

“Për disa shtesa në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”

Në mbështetje të neneve 81 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I:
Në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

Neni 1

Në nenin 8, paragrafi 1, shtohet fjalia e dytë me këtë përmbajtje:

“Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetutese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon”

Neni 2

Në nenin 86, pas pikës 4 shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:

“5. Gjyqtarët e zgjedhur, të emëruar ose të shpallur të emëruar, por që nuk kanë bërë betimin, me hyrjen në fuqi të këtij ligji betohen sipas rregullave të këtij ligji.”

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë