Ne rrjet

Precedentët me diktatorët/ A do ta ketë Putini fatin e Millosheviçit?

Përse shërben urdhri i arrestit të gjykatës penale ndërkombëtare për Vladimir Putin? Gjykata e Hagës ka lëshuar urdhra arresti për presidentin rus, Vladimir Putin, dhe komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Alekseyevna Lvova-Belova, në lidhje me dëbimin e detyruar të fëmijëve nga Ukraina në Rusi, ku shumë prej tyre janë birësuar tashmë nga familjet ruse.

Shpërngulja e detyruar e popullsisë njihet si një krim sipas statutit të Romës që themeloi gjykatën e Hagës. Rusia ishte nënshkruese e statutit të Romës, por u tërhoq në vitin 2016, duke thënë se nuk e njihte juridiksionin e gjykatës.

LEXO EDHE:
- Moska i kundërpërgjigjet Gjykatës: Fëmijët nuk u deportuan, por u zhvendosën brenda Rusisë
- Zelensky: Politika ruse synon shpërndarjen e fëmijëve ukrainas në territorin e tyre
- Urdhërarresti për Putinin, reagon Ukraina: Është vetëm fillimi! Ora e drejtësisë po vjen
- ‘Akt i papranueshëm’, Kremlini reagon pas urdhër-arrestit nga Gjykata e Hagës për Putinin
- Urdhërarrest ndërkombëtar për presidentin rus Putin, Gjykata e Hagës e akuzon për krime lufte

Edhe pse vetë Ukraina nuk është firmëtare e gjykatës në Hagë, ajo i dha juridiksionin GJNP-së për të hetuar krimet e luftës të kryera në territorin e saj.

Katër vizita nga kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan, gjatë vitit të kaluar çuan në konkluzionin se "ka arsye bindëse për të besuar se Putin mban përgjegjësi individuale penale për rrëmbimet e fëmijëve".

Çfarë do të thotë kjo në realitet?

Për shkak se Rusia nuk e njeh gjykatën e Hagës dhe nuk i ekstradon qytetarët e saj, ka shumë pak gjasa që Putini ose Lvova-Belova të dorëzohen së shpejti në juridiksionin e këtij institucioni ndërkombëtar.

Por lëshimi i mandatit mbetet një moment shumë domethënës për një sërë arsyesh. Ai u dërgon një sinjal zyrtarëve të lartë rusë – ushtarakë dhe civilë – të cilët mund të jenë të prekshëm ndaj ndjekjes penale tani. Ose në të ardhmen dhe do të kufizojë më tej mundësinë e tyre për të udhëtuar në rang ndërkombëtar, duke përfshirë pjesëmarrjen në forume ndërkombëtare.

Si do aplikohet për zyrtarët me imunitet diplomatik?

Edhe pse ICC (Gjykata Ndërkombëtare Penale) nuk njeh imunitet për krerët e shteteve në rastet që përfshijnë krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid, në një precedent të rëndësishëm, Afrika e Jugut refuzoi të zbatonte një urdhër të ICC-së për arrestimin e diktatorit sudanez, Omar al-Bashir gjatë një vizite në vitin 2015.

Pretoria argumentoi se ajo nuk shihte "asnjë detyrë sipas ligjit ndërkombëtar dhe statutit të Romës për të arrestuar një kryetar shteti në detyrë të një partie jo shtetërore për llogari të ICC-së si Omar al-Bashir". Gjithashtu edhe disa vende të tjera që ai vizitoi refuzuan ta arrestonin atë.

Arrestimi i ish-diktatorit kilian Augusto Pinochet në Londër në vitin 1998 me një urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga gjyqtari spanjoll Baltasar Garzón pasqyron qartë vështirësitë e hasura në trajtimin e çështjeve të tilla si imuniteti.

Pinochet (Pinoçeti) paraqiti imunitetin si një ish-kryetar shteti – një pretendim i refuzuar nga gjykatat britanike – por në fund, sekretari britanik i Brendshëm, Jack Straw, e lejoi Pinochet të kthehej në shtëpi për shkak të përkeqësimit të shëndetit.

Pra, cili është qëllimi i këtij vendimi?

Ndërsa Putin duket i sigurt në pushtetin e tij tani dhe i sigurt nga mos ekstradimi, një lider i ardhshëm i Kremlinit mund të vendosë se është më politike ta dërgojë atë në Hagë, sesa ta mbrojë.

Një shembull i mirë është Slobodan Millosheviç, ish-presidenti i Jugosllavisë, i cili u padit për një sërë akuzash për krime lufte nga gjykata ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë në mes të luftës në Kosovë në vitin 1999.

Në vitin 2001, mes një beteje midis figurave kryesore kundërshtare në Serbi pas rënies së Millosheviçit nga pushteti, kryeministri Zoran Xhinxhiç, injoroi një vendim gjykate që ndalonte ekstradimin dhe urdhëroi transferimin e Millosheviçit në Hagë, duke thënë: “Çdo zgjidhje tjetër përveç bashkëpunimit me Hagë do ta çonte vendin në katastrofë.”

Arrestimi i Millosheviçit – para transferimit të tij – u shoqërua me presionin ndaj qeverisë Serbe për të ndaluar ish-presidentin, ose në të kundërt rrezikonte të humbiste ndihmën e konsiderueshme ekonomike amerikane dhe huatë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

A mund të lëshohen urdhra të tjerë?

Gjykatësi shtoi se prokurori mund të ngrinte akuzave të reja kundër Putinit, duke zgjeruar kështu urdhër-arrestet.

Human Rights Watch e përshkroi vendimin për lëshimin e një urdhër-arresti për Putinin si një "thirrje zgjimi për të tjerët që kryejnë abuzime ose i mbulojnë ato".

Balkees Jarrah, drejtor i asociuar i drejtësisë ndërkombëtare në OJQ, tha: “Me këto urdhër-arreste, GJPN-ja (ICC) e ka shpallur Putinin një person në kërkim dhe ka ndërmarrë hapin e parë për t'i dhënë fund mosndëshkimit, gjë që i ka dhënë kurajo iniciatorëve rusë të luftës kundër Ukrainës për një kohë të gjatë ”.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë