Futboll

Prapaskena e Haaland, një tjetër klub gjerman e humbi për vetëm 3000 euro

Erling Haaland është një nga lojtarët më të çmuar të futbollit europian. Tetë gola në vetëm pesë ndeshje për Borussia Dortmund e kanë bërë atë njeriun më të përfolur të momentit në Bundesliga, ku xhevahiri norvegjez ishte gati të zbarkonte që në moshën 16 vjeçare. Në vitin 2016, Hoffenheim e ftoi për një provë, ku trajnerët u befasuan nga potenciali i jashtëzakonshëm i Haaland dhe i propozuan të bashkohej me skuadrën gjermane. Por në fund marrëveshja nuk u realizua.

Arsyeja ishin 3,000 euro. Menaxheri i futbollistit, asokohe ende fëmijë, kërkonte një rrogë prej 5000 eurosh në sezon, një shifër që binte ndesh me filozofinë e klubit gjerman për të rinjtë. Gjermanët i ofruan norvegjezit vetëm 2000 euro në muaj, dhe kjo është arsyeja që pse Haaland nuk përfundoi të veshë fanellën e Hoffenheim, por zgjodhi të transferohej te Molde në Norvegji. Pasi debutoi në ekipin e parë kur ishte vetëm 15 vjeç, më pas u transferua te Salzburg.

Norvegjezi i cili u transferua te Dortmundi këtë merkato dimri për shifrën e 20 milionë eurove, ka treguar se çdo investim që ka bërë ekipi gjerman për të, është mëse i justifikuar. Talenti 19-vjeçar i cili shkëlqeu me RB Salzburg, ka lënë shenjë që në ndeshjet e tij të para zyrtare me skuadrën gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë