Ne rrjet

Pranoi bashkëpunimin me oligarkun rus, Charles McGonigal dënohet me 50 muaj burg (çfarë tha në gjyq)

Një nga ish-agjentët më të lartë të FBI-së drejtues i kundërzbulimit, Charles McGonigal u dënua të enjten me mbi katër vjet burg (50 muaj)  për bashkëpunim të fshehtë me një oligark rus.

“Kam kryer një krim dhe si ish-agjent special i FBI-së më jep dhimbje ekstreme emocionale dhe fizike”, i tha McGonigal gjykatëses përpara se t’i jepej dënimi. "Unë qëndroj para jush sot me një ndjenjë të thellë pendimi"

Gjyqtarja Jennifer Rearden përmendi  "kontributet e jashtëzakonshme" të McGonigal në operacionet kundërspiunazhit në emër të vendit, por vuri në dukje gjithashtu shqetësimin për zgjedhjen e tij për të punuar për Oleg Deripaska, të cilin SHBA e kishte sanksionuar.

"Z. McGongial e dinte mirë se veprimet e tij shkelnin ato sanksione," tha Rearden përpara se të vendoste dënimin me 50 muaj.

Ai shërbeu si agjent special i ngarkuar me Divizionin e Kundërzbulimit të zyrës së FBI-së në Nju Jork. Në atë pozicion, McGonigal mbikëqyri dhe mori pjesë në hetimet e oligarkëve rusë, duke përfshirë Oleg Deripaska, të cilit i ofronte shërbime të palejueshme.

McGonigal ka ndikuar që oligarku Oleg Deripaska të dalë nga lista e zezë e sanksioneve amerikane.

Nga ana tjetër, McGonigal ka pranuar se ka punuar për të futur një rival të Deripaskës, në listën e zezë të SHBA.

Në shkëmbim, Deripaska e paguante McGonigal me 41 mijë dollarë në muaj, ndërsa 51 mijë dollarë i kishte marrë paraprakisht.

Prokuroria ka kërkuar 5 vite burg dhe 200 mijë dollarë gjobë për McGonigal.

Dosja për Shqipërinë

55-veçarit do t’i duhet të përballet sërish me gjykatën në fillim të vitit të ardhshëm, këtë herë në Uashington, për çështjen që e lidh atë me Shqipërinë.

Më herët në muajin shtator 2023, ish-kreu i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal ka pranuar fajësinë se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili sipas dokumentave në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.

Pranimi i fajësisë u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve tët McGonigal. Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.

McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.

I pyetur muaj më parë nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.

McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga zoti Duçka.

Në akt-padi nuk u identifikua lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.

Më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal.

Gjatë seancës zoti McGonigal pranoi se i kishte krijuar lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri përmes një mikut të tij, duke iu referuar Nezës, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.

Ai shtoi më tej, ashtu siç thuhej edhe në aktpadi edhe në deklaratën e fajësisë, se nuk i kishte deklaruar 220 mijë dollarët që tha se i kishte marrë hua nga miku i tij dhe partneri i mundshëm biznesit, duke iu referuar Nezës si edhe nuk kishte deklaruar kontaktet me qytetarë të huaj.

McGonigal pranoi në seancë faktin që ishte takuar disa herë me Kryeministrin Edi Rama duke filluar nga shtatori 2017, duke filluar nga takimi i parë më 9 shtator në prani të zotit Duçka që vazhdon të figurojë si personi B edhe në dokumentin ku ofrohet një akuzë e reduktuar.

I pyetur nga gjykatësja nëse pas udhëtimit në shtator 2017, ai kishte mbajtur “një marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë dhe personin B”, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.

Në të njëjtën mënyrë ai u përgjigj kur u pyet nëse me kërkesë të Personit A, ai i kishte bërë thirrje kryeminisrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë, ndërkohë që personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare.

Po ashtu ai pohoi që gjatë vizitës së shtatorit 2017, McGonigal “u prezantua nga personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i kërkoi atij ndihmë, që dikush të hetonte për një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë