Lajme

PPP-të zbresin në jug, një tjetër koncesion i pakërkuar

Ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve sipas skemës partneritet publik-privat zbret në jug të vendit. Pas shpalljes së fituesve për Rrugën e Arbrit dhe rrugës Thumanë-Kashar, Ministria e Infrastrukturës po bëhet gati për dhënien e një koncesioni të pakërkuar.

Bëhet fjalë për rrugën që lidh Portin e Jahteve me Orikumin dhe më pas përfundon në Dukat. Sipas studimit të fizibilitetit, Ministria e Infrastrukturës thotë se kostoja e ndërtimit të këtij aksi 14.7 kilometra të gjatë shkon në 50.5 milionë euro.

Ndërtimi i rrugës është një propozim i pakërkuar nga shoqëria “Gjikuria” Sh.p.k. Kjo Shoqëri me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave ka përfituar më 20 qershor edhe bonusin prej 6 për qind “për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për procedurën për dhënien me koncesion/ partneritet publik privat për projektin e rrugës “Porti i jahteve - bay-pass Orikum - Dukat (Ura e Shën Elizës)”.

Në objektin e kontratës, parashikohet që si burim i të ardhurave do të jetë një pagesë vjetore nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës. Sipas dokumentacionit të siguruar nga Open Data Albania, pagesa e parë do të kryhet kur koncesionari të ketë realizuar 25 për qind të volumit të punimeve.

Por jo vetëm kaq. Me të përfunduar rrugën, koncesionari do të ketë në dorëzim mirëmbajtjen e saj për 13 vite dhe gjatë kësaj periudhe përdoruesit e rrugës do të paguajnë një tarifë mirëmbajtjeje. Pra, koncesionari do të përfitojë para si nga buxheti i shtetit, pra paratë e gjithë taksapaguesve shqiptarë, ashtu edhe nga përdoruesit e rrugës.

Procedura e koncesionit është shpallur dhe data e mbylljes së tij është 20 shtatori i këtij viti, kur edhe do të shpallet fituesi.

Këshilli i Ministrave nuk e ka “reklamuar” shumë këtë projekt, që mbërrin në kohën kur Banka Europiane e Auditit dhe Departamenti Amerikan i Shtetit qortojnë vendin tonë për klimën e biznesit dhe rendisin mes rreziqeve më të mëdha që i kanosen ekonomisë pikërisht koncesionet e pakërkuara përmes skemës partneritet publik-privat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë