Futboll

Post derbi- Partizani dhe Tirana nuk i ndahen “sherrit”, akuza për akte terroriste

Mes Partizanit dhe Tiranës vazhdoi edhe ditën e sotme përplasja, e kjo në tapetin e blertë, por me anë të deklaratave në lidhje me incidentet të shkaktuara në fushën e futbollit në ndeshjen e së dielës. Rrahjet mes tifozëve, vendosja e fishekzjarrëve të rrezikshme në zonën ku ishin vendosur tifozët e kuq, si dhe djegia e flamurit të Partizanit apo dhe vendosja e bandarolës provokuese me varjen e dy partizanëve ka qenë arsyeja e përplasjes së dy ekipeve të kryeqytetit. Fillimisht do të reagonte klubi i Partizanit, ku me anë të një deklarate publike do të akuzonte Tiranën për mungesë të aftësive organizative që për klubin e kuq kjo nuk është hera e parë. Klubi i Futbollit Partizani me anë të një deklarate për median theskon se denoncon fuqimisht aktet e ndodhura në takimin së dielës.

Banderola e turpshme e ultrasve të Tiranës në derbi. Gazeta Si, 30 shtator 2019


"Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvatjen e takimeve derbi. Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv. Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”", thuhet në këtë deklaratë.
Më tej theksohet se instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht lojtareve te skuadres.

https://www.facebook.com/partizaniclub/photos/a.180026368858434/1156360574558337/?type=3&theater

"Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. I bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent", thuhet në deklaratë.

Ndeshja e derbit te se dieles


Disa orë pas këtij qëndrimi erdhi edhe reagimi i klubit Tirana, ku hedh poshtë akuzat për mos marrjen e masave për organizimin e ndeshjeve. Klubi i Futbollit Tirana bën të ditur se distancohet nga të gjitha aktet e dhunës, shfaqjet e shëmtuara jo sportive dhe dënon ashpere të gjitha problematikat e krijuara nga tifozët në ndeshjen Tirana - Partizani.
"KF Tirana ka zbatuar me rigorozitet planin e masave të hartuar me Policinë e Tiranës për mbarëvajtjen e takimit brenda dhe jashtë stadiumit “Selman Stermasi”. Në perfundim të takimit, klubi ka vënë në dispozicion të Policisë, serverat e sistemit të kamerave të stadiumit, për të gjetur dhe dënuar më pas përgjegjësit e incidenteve në stadium, por edhe autorët e incidenteve të mbetura fatmirësisht në tentativë", thuhet në deklaratën zyrtare të bardhebluve.

https://www.facebook.com/kftirana.al/photos/a.1418817768374341/2379009745688467/?type=3&theater

Duke iu përgjigjur akuzave të Partizanit, Tirana thekson se është një klub futbolli dhe jo një institucion policior. Si i tillë, konform të gjitha rregullave të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ligjeve të Shtetit Shqiptar, bën të ditur se ka marrë masa organizative për ndeshjen, si dhe dokumentuar me pamje filmike incidentet dhe dorëzuar ato më pas në institucionet përkatëse.
"Ftojmë KF Partizanin të ruaj qetësinë, bashkepunojë me Policinë nëse disponon materiale filmike apo prova për të gjetur autorët dhe fajtorët e incidenteve në stadium. Një klub futbolli mund dhe duhet të mos kaloje kompetencat për të folur nxituar herë si hetues dhe herë të tjera si prokuror", mbyllet deklarata e bardhebluve.
Policia për ngjarjet e rënda në ndeshjen e së dielës ka proceduar 9 persona, ku dy prej tyre janë shpallur në kërkim. Derbi i Tiranës u fitua nga Partizani me rezultatin e ngushtë 2-1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë