Njerez

Portreti i një përdoruesi që humbi jetën nga overdoza

Banesa e të riutShtëpia e 38 vjeçarit

Droga është një nga betejat që zhvillohen në operacione të sofistikuara e me agjentë të infiltruar apo me përgjime telefonash. Shpesh fitohet e shumë humbet. Kur e dëgjon në formën e strategjive dhe të tonelatave të sekuestruara, në varësi të llojit të saj, shumë rrallë mund të mendosh se në fakt për sasirat e tjera që nuk janë kapur, viktimë ka rënë dikush. Dikush që thith një cigare. Dikush që intubohet me heroinë. Dikush që ul fytyrën mbi pjatën me kokainë.

Familja Murati e humbi luftën me drogën. Djali i saj 38 vjeç u gjet i pafrymë dhe me trupin e ftohur. I vdekur nga overdoza.  

“ Në rrugën Pandeli Cale, mbas pallatit numër 45 u gjet I vdekur një person i seksit mashkull. Në dorën e majtë të viktimës u gjet një shiringë me një lëndë me ngjyrë të kuqërremtë. Dyshohet se është e llojit heroinë”.


Leonard Murati

Me kaq rreshta u përcoll në sallën operative vdekja e 38 vjeçarit Leonard Murati, një i ri që kishte udhëtuar disa kilometra nga fshati i tij për të siguruar dozën e drogës. Ai u zbulua i shtirë në tokë, në rrugën që është në brendësi  të lagjes në afërsi të qytetit të nxënësve, me rrugicën që shkon paralel me Unazën e Madhe. “Nuk kishte asnjë dokument me vete dhe askush në lagje nuk e njihte”. Kështu e përshkruan eksperti kriminalist kqyrjen e trupit të radhës të një të riu që vritet nga droga në Shqipëri.  Në një nga xhepat, oficerët i konstatuan një telefon. E hapën dhe gjetën aty një numër me të cilin i  ndjeri kishte folur më shpesh. E telefonuan. Në anën tjetër u dëgjua zëri i një gruaje. Ishte e motra. Ajo i foli në emër: “Po Nardi..”. 

Dhe oficerët pasi i thanë se aparati gjendej në duart e tyre kërkuan emrin dhe personin me të cilin po komunikonin. Ata kërkuan gjithashtu edhe emrin e pronarit të telefonit, i cili rezultoi se ishte Leonard Murati. Pastaj njoftuan të motrën: “ Leonardi është në spital”. Ata nuk ia thanë të vërtetën për ti dhënë kohë familjes që ta mësonte kur të mbërrinte në spital, aty edhe ku mësoi se në fakt Nardi, ishte gjetur i pajetë dhe me asnjë shpresë për tu shpëtuar.


Fshati Katund i Ri

Familja Murati jeton në fshatin Katund i Ri, një fshat që eshte i pozicionuar në kodrat e Tiranës, i zhytyr në mes të kontrasteve që zënë fill sa nga jeta industrial  firmave gjigande që kanë mbirë përgjatë autostradës. Ato dukën aty poshtë këmbëve të fshatit, në rrugën dytësorë që i vë kufi Katundit të ri, përpara se të dalësh në shpejtësinë e autostradës. Në krahun e majtë dallohen në së largu pallatet e kryeqytetit që po avancojnë përmes Yzberishtit, por që ende janë atje tej. Megjithatë ndërtimi i disa ngjitur me autostradën ka shtuar vendet e punës për banorët. Por papunësia ngelet problem. Edhe për familjen Murati, e cila jeton ende ne një nga pallatet e ndërtuara gjatë 1965-ës, ca pallate të vogla tek të cilat qëndrojnë ende ata që nuk ja dolën dot të blejnë pak tokë ose të ndërtonin një shtëpi private.

Leonardi lindi në katin e parë të njërit prej këtyre pallateve dhe aty u rrit. Në fshat njihet si një tip paqësor dhe që nuk përzihej me askënd. Por banorët shmangin të tregojnë se Leonardi ishte përdorues droge. Ndonjëri prej tyre përpiqet të ruajë familjen e të ndjerit dhe ngre supet me shprehjen: “Kaq I ri, kushedi nga çfarë ka qenë sëmur”. Por në fshat të gjithë e dinë përpjekjen e madhe të familjes për ta rehabilituar 36 vjeçarin, një përpjekje të cilën familja besonte se ai ia kishte dalë mbane të fitonte. Por jo.

Leonardi menjëherë sapo përfundoi shkollën e mesme tregon një banor, u largua në Greqi. Aty qëndroi një kohë të gjatë, ku edhe ra në burg. Se për çfarë nuk i vendosin emër. Pas kthimit i riu emigroi sërisht drejt Italisë, ku edhe mendohet se ka nisur përdorimin e drogës. Përgjatë më tepër se 10 viteve si përdorues I drograve të forta, familja e cila është shkatërruar nga kjo situatë, mendoi se ai u shkëput.

Babai I dy vajzave gjatë dy viteve të fundit të jetës nga overdozat i kalonte shpesh vdekjes ngjitur dhe sërish rikthehej nga gjendja e rënduar. “Dy herë na kanë njoftuar nga spitalet për gjendjen e tij të rënduar” përmend mes lotëve një nga familjarët e tij.  Ta thuash fjalën drogë në familjen e tyre është njëlloj sikur të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit. Momenti më I vështirë ishte gjashtë muaj më parë, kur askush nuk iu dha shpresë se ai do tia dilte. Por sa herë dikutonim me të, shtojnë kushërinjtë për Gazeta Si, ai betohej që nuk do ta linte. Pas kthimit nga spitali, ai u shpreh se donte të jetonte dhe se nuk do përdorte më drogë. Por e gjitha, shton komshija e tyre, ishte një gënjeshtër. Ditën e fundit të jetës, ai është parë të pijë një kafe poshtë shtëpisë, pastaj askush nuk di të thotë se kë takoi dhe si u largua dhe si e gjeti heroinën, e cila i mori jetën. Kjo ishte dita e fundit e një përdoruesi droge.  

Shqipëria nuk ka një numër të saktë se sa është numri I përdoruesve të drograve të forta. Zyrtarisht dihet se në aksione të ndryshme shpërndarës të shumtë kapen me doza heroine  në kryeqytet. Nga një vëzhgim që Gazeta Si  bëri që nga data 30 prill rezulton se përditë konstatohen të rinje me doza hashashi dhe doza heroine.

Pas kompleksit Kristal u arrestua Alban Danga me arsim të lartë pasi iu gjetën me vete dhe në shtëpi 18.2 gramë heroinë. Në të njëjtën ditë u kapën Klejdis Cerpia i moshës 20 vjeç sepse në rrugën Bajron iu gjet në trup doza kanabisi, dhe në rrugën e Natos u arrestua edhe 23 vjeçari Rushan Duraku, i cili posedonte me vete 3 gramë hashash. Në vazhdim në rrugën Abdyl Frashëri është kosntatuar me drogë R. Gjikondi, në rrugën Asllan Shahini, M. Hasa..

Vetëm këtë të shtunë u finalizua një tjetër operacion policor antidrogë në Tiranë i koduar “Orët e vona” ku u goditen dy raste, një për shpërndarje të kokainës dhe një për  shpërndarje të kanabisit. Gjatë operacionit u vunë në pranga  4 persona, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë dy të tjerë. Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ishin marrë informacione në rrugë operative se në rrugën “Sulejman Delvina” në një  lokal 'Bar kafe',  persona të ndryshëm e frekuentonin duke pirë e shpërndarë  lëndë narkotike. Nga kontrolli i kryer policia gjeti dhe sekuestroi  12 doza të dyshuara me lëndë narkotike kokainë. Ndërkohë 12 doza kokainë u sekuestruan gjatë operacionit ”Shigjeta” në Laprakë  ku u arrestuan dy të rinj.

Raportimet për doza hashashi vazhdojnë përditë, disa prej tyre referohen në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur e disa arrestohen. Por askush nuk mund të thotë çpo ndodh, a nuk duhet të shqetsohemi?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë