Futboll

Porto-Madrid-Tiranë, aksi i të barabartëve

Fundjava futbollistike në Evropë u karakterizua nga 3 ndeshje të rëndësishme në Portugali, Spanjë dhe Shqipëri. Porto-Sporting për raundin e 21 në Primeira Liga. Real Madrid-Atletico Madrid për raundin e 23 në La Liga dhe Partizani-Tirana për raundin e 24 në Kategorinë Superiore. Përveç rezultatit, këto sfida patën të përbashkët zhbllokimin nga skuadrat mike për t’u lënë radhën atyre vendase që të rikthenin ekuilibrin.

Dany Namaso (Porto)

Në dy prej tyre barazimi u vendos vetëm në fundin e kohës së rregullt dhe vetëm në “Do Dragao” u përdor kartoni i kuq duke i lënë miqtë me 9 lojtarë pas barazimit  vendas. Ivan Fresneda hapi sfidën 3 minuta para pushimit të premten në mbrëmje por pikërisht atëherë kur mendohej se Sporting po largohej me 3 pikë, Daniel Namaso barazoi për Porton. Shifra që lanë të paprekur sfidën prej 8 pikësh mes tyre.

Kylian Mbappe (Real Madrid)

24 orë pas sfidës portugeze, 562 kilometra më tej, Real dhe Atletico u ndeshën në derbin e Madridit në “Santiago Bernabeu”. Edhe këtu shënuan të parët miqtë, Julian Alvarez konvertoi një penallti të kontestuar ashpër nga “los Blancos” duke vazhduar sagën mes tyre dhe arbitrave. 5’ pas kthimit nga dhomat e zhveshjes, Mbappe kthen barazpeshën me atë që rezultoi të ishte goli i fundit në derbin numër 239. Rivalët ndërqytetas vazhdojnë të ndahen nga 1 pikë.

Saliou Sembene (Partizani)

Mesditën e të dielës ishte radha e Tiranës të priste derbin më të luftuar mes vendasve të Partizanit dhe miqve bardheblu. Ishin këta të fundit që zhbllokuan derbin numër 204 me Ernest. Bardheblutë ishin pranë 3 pikëve por u dorëzuan në fund dhe u arritën nga Sembene në 90’. Sfida u parapri nga incidentet mes tifozërive që u transferuan brenda impiantit. Si rezultat u lënduan tifozë dhe forca të rendit. Këto të fundit u akuzuan nga klubi i kuq për arrogancë dhe mungesë bashkëpunimi duke mbërritur me vonesë në “Arenën e Demave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë