Politike

Porti i Durrësit kthen debatin në Kuvend, Bylykbashi përplaset me Ballukun. Braçe: Mbroni interesat e Selanikut. Tabaku: Ligj me porosi

Nga Gazeta 'SI' - Porti i Durrësit ishte një nga debatet kryesore të seancës së sotme në Kuvend, pas pesë muajsh bllokim.

Ishte fillimisht ministrja e Infrastrukturës dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku e cila si një kundërpërgjigje për opozitën tha se projektet e porteve në Durrës nuk do të ndalojnë asnjë moment shërbimet aty dhe se ato i mbeten shqiptarëve.

Balluku u kthye pas në kohë duke rikujtuar se zanafilla e krijimit të projektit të zhvendosjes së Portit të ri të Durrësit në Porto Romano fillon që në 20009 nga qeveria “Berisha”.

Porti i ri i Durrësit në Porto-Romano nuk do i shërbejë vetëm Shqipërisë por Maqedonisë së Veriut dhe Prishtinës. Ky është një projekt strategjik. Zanafilla e krijimit të Porto Romanos fillon që në 20009 nga qeveria juaj. Sot kemi në Porto Romano dy konsesione të mallrave likuide që operojnë prej vitesh. Kjo tematikë duhet të përbënte konsensus të palëve pasi ju e keni dizajnuar si zonë industriale detare. Akuzat vazhdojnë. Është demagogji momentale që po përdorni. Ajo zonë do jetë zonë militare dhe ka një koordinim. Ne e kemi njoftuar publikisht. Dhe nuk bëhet fjalë për mbylljen e një porti dhe hapjen e një porti tjetër, por për të dy portet, një turistik dhe një militar”, tha ministrja.

Ajo shtoi se projekti i porto Romanos ka rëndësi ndërkombëtare, vlerësuar edhe nga NATO, pasu nuk do të jetë vetëm port tregtar, por edhe militar.

“Është prezantuar si zonë e domosdoshme për ushtrinë shqiptare, aleatët e NATO-s. Në këtë paketën prej 390 mln eurosh që do shërbejë për ngritjen e strukturës bazike, 175 mln janë të dedikuara për punime në infrastrukturë detare parësore. Nuk do i shërbejnë vetëm portit detar por edhe portit militar që do ngrihet në zonë”, përfundoi Balluku.

Pas saj fjalën e mori deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili e cilësoi projektin e Porto Romanos një marrëveshje korruptive që do t’i kushtojë shqiptarëve të paktën 400 mln euro.

Korrupsioni në këtë projekt, sipas Bylykbashit ishte arsyeja pse donatorët refuzuan dhënien e një kredie.

“Nëse porti do modernizohej, siç ishte projekti, do rriste volumin., në dokumentet e projektit: do jetë në funksion një rrjet kyç transporti që do forcojë lidhjet e Shqipërisë me Italinë dhe Kroacinë dhe do i japë akses Prishtinës dhe Maqedonisë së Veriut, për atë që është. Por papritur, pa e ditur dhe donatorët, që fizibilitetin e mbaronte në 2019 dhe përfundonte në 2023, nuk e dinin ata. Por u gjetën para faktit të marrëveshjes korruptive për t’ia dhënë Portin e Durrësit një kompanie private dhe u detyruan të anulonin kreditë”, akuzoi deputeti i Rithemelimit.

Ai tha se përllogritjet për koston totale të këtij porti arrijnë nga 1.2 deri në 2 mld dollarë

 “400 milionë dollarë në tre vitet e ardhshme do u grabiten xhepave të shqiptarëve për të ndërtuar portin e ri në Porto Romano. Nga buxheti i shtetit, që do të thotë nga taksat e shqiptarëve. Doli Rama në fillim e tha do e bëj investim publik, pastaj tha se do jetë me kredi. Në një moment tha se do e bëj me të ardhurat e portit. Ishte gënjeshtra tjetër. Për të ardhur te ajo që ishte qëllimi. 400 milionë dollarë për një port, i cili nëse nuk do të kishte bërë kontratën hiperkorruptive, antikushtetuese, që ia dha një kompanie private me veshje arabe, ku janë të gjitha interesat korruptivë, nga kryeministri e poshtë, porti i Durrësit nuk kishte nevojë të ndërronte vend”, tha deputeti i Rithemelimit.

Pas tij, Balluku mori sërish fjalën duke sqaruar Bylykbashin se kredia ishte vetëm për forcimin e kalatave dhe jo të gjithë portin.

“Kredia e asaj kohe kishte të bënte me forcimin e kalatave 1 dhe 2 të ndërtuara mbi 50 vite më parë dhe duhej t’i përgjigje sasive aktuale. Nuk është folur kurrë në atë procedurë kredi marrje për zgjerim kapacitetesh, por përforcim kalatash. Kredia është anuluar në bashkëpunim me komisionin dhe BERZH. Diçka e mbyllur në 2019 nuk na ka detyruar ne që të kishim në mendje një projekt që nuk është projekt privat, por projekt  i një investitori të huaj dhe i shtetit shqiptar, ku shteti shqiptar ka 33% të aksioneve”, u shpreh ajo.

Tabaku: Qeveria po bën ligje me porosi

Edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku foli për ndryshimin e financimit të Porto Romanos duke thënë se qeveria theu premtimin e bërë një vit më parë. ajo e krahasoi këtë situatë me skemën e Teatrit, ku po ashtu u tha se do të ndërtohej me fonde të jashtme

“Përpara nesh ndodhet një akt normativ që vjen dy muaj pas nisjes së vitit. Qëllimi se pse është ndryshuar ky akt shprehet në ndryshimin e fondeve për portin e Durrësit. Një rishikim i buxhetit që vjen pas hyrjes ne fuqi të taksës për profesionet e lira.Kur pothuajse dy vite më parë në diskutuam 14 orë për kontratën e Portit të Durrësit, qeveria këmbënguli që porti do të ndërtohej jo me paratë e buxhetit. Sot nuk ka vlerë për të diskutuar , ndryshimi i parë për buxhetin e shtetit kalon qindra milion euro për portin e Durrësit, që u premtua se nuk do të ndodhë. E njëjta skemë u ndoq edhe me Teatrin e Tiranës, u premtua që do të ndërtohej me fonde, në fund edhe teatri do të ndërtohet më të njëjtën s’kemi”, tha Tabaku.

Deputetja tha se turizmi në Shqipëri po menaxhohet me ligje klienteliste, të porositura.

“E njëjta skemë u përdor edhe për ligjin e zonave të mbrojtura, me pas të njëjtën formulë u shty ligji për investimet strategjike dhe së fundmi ligji që merret me menaxhimin e zonave bregdetare. Këto 3 ligje tregojnë atë kemi vite që e themi, bërjen e ligjeve  me porosi dhe dëshmojnë frikën nga drejtësia. Në këto 3 ligje ka një tendencë, përgjegjësia kolektive ndaj asaj individuale. Unë besoj që sot qeveria po e shikon ekonominë dhe turizmin gabim. Kur synojmë të marrin investime serioze amerikanë duhet të respektojmë pronën publike dhe private e rregullat elementare të tregut të lirë . Ky zhvillim i turizmit duhet të vijë duke respektuar parimet dhe standardet. Sot dhe nesër mbahet Këshilli Evropian, Shqipëria nuk është në agjendë. E kemi humbur mundësinë për të hapur negociatat dhe unë do kisha pritur edhe për këtë një diskutim në parlament”, përfundoi Tabaku.

Braçe: Ju e kishit lënë me koncesion. Po mbroni interesat e Selanikut

Socialisti Erjon Braçe doli në mbrojtje të projekti të portit të Durrësit, ndonëse dikur ishte skeptik ndaj marrëveshjes. Braçe justifikoi ndërtimin e portit me paratë publike, pasi synohet përmirësimi i shërbimeve atje dhe rikujtoi se kur ishte në fuqi qeveria Berisha, porti ka funksionuar me koncesion.

“Prisja të flisnim për buxhetin. Por për cilin port flisni? Për Portin e Durrësit i cili në 90% ishte dhënë me koncesion. Dhe qeveria merrte një firmë qesharake që nuk paguante as rrogat e atyre që punonin aty. Për portin ku shërbimet ishin koncesionuar mbi 90% sipas KLSH. Për këtë flisni? Për atë port që nuk shtrinte krahun e vinçit sepse binte mbi hotelin në krah”, tha deputeti socialist.

Braçe tha se porti i ri do të konkurrojë portet e rajonit, ndërsa akuzoi deputetin Bylykbashi se po mbron interesat e portit të Kretës e Selanikut “për hatër të Belerit”.

“Çfarë po kërkojmë, apo çfarë akuzoni: që po ndërtojmë një port publik shtetëror me para publike, që rrit jo vetëm pasurinë por ofron shërbime më të gjëra. E për të konkurruar ato porte. Në cilët interesa flitet këtu? E kam me deputetin e Durrësit që foli këtu. Interesat e kujt po mbron, interesat e  portit të Barit, Brindisit, apo nga ana tjetër të Kretës, Selanikut? Që tani veni e vini për hatrin e Belerit. Për çfarë flisni që atje kemi rënë dakord atje të ndërtohet baza e NATO-s. Do thoni jemi kundër. Mendoj se duhet të flasim për buxhetin. Pas 5 muajsh që nuk patëm mundësi, është shumë e rëndësishme të flasim për buxhetin”, përfundoi Braçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë