Politike

Porositë e Ramës: Jo të fortë në bashkitë e reja! Skanoni drejtorët aktualë

Partia Socialiste do të mbledhë në fund të këtij muaji Këshillin Drejtues të saj, organ ku janë anëtarë 12 koordinatorët e socialistëve nëpër qarqe. Mbledhja është thirrur nga kryesocialisti Edi Rama, i cili paraprakisht u ka shpërndarë një mesazh-porosi të gjithëve.

Në mesazhin në fjalë, Rama kërkon që të dorëzohen propozimet për stafet politike të bashkive.

“Në mbledhjen e KD në fund të gushtit, duhet të sillni propozimet për stafin politik, dmth nënkryetarët dhe administratorët (minimumi dy propozime). Një nënkryetar duhet të jetë medoemos grua dhe kjo vlen edhe për bashkitë e majta - kush s’e ka do ta gjejë e ta vendosë!”, kërkon Rama.

Sa u takon administratorëve, Rama kërkon që ata të kenë profilin e shërbëtorit të komunitetit, jo të të “fortit”. Këtu kryeministri është i prerë.

“Profili i administratorëve duhet të jetë profil shërbëtori komuniteti, jo profile të fortësh, injorantësh, batakccinjsh, feudalësh partiakë! Zgjedhja e tyre duhet të mirëpritet, jo thjesht nga partia e zonës, po nga komuniteti i zonës dhe më mirë të mërzitet partia se sa komuniteti! Mbajeni parasysh që nuk kam për të pranuar kandidatura nga ato tipiket që dredhin zinxhir se medemek marrin vota! Mos kemi llafe për këtë ju lutem”, porosit Rama.

Rama kërkon që të kalohen në sitë për formimin profesional, nivelin e militantizmit dhe lidhjet nepotike të gjithë drejtorët aktualë në bashkitë e djathta. Përvecc kësaj, Rama kërkon edhe një listë propozimesh për zëvendësimin e tyre, por deri atëherë urdhëron që asnjë shkarkim të mos ndërmerret nga kryebashkiakët e rinj socialistë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Kryeministri porosit që partia të hapet ndaj njerëzve të ditur, të edukuar dhe respektuar, pavarësisht kontributit të tyre elektoral.

“Mund të mos kenë sjellë vota, sepse nuk kanë qenë të angazhuar direkt për shkak të mbylljes së partisë nder të tjera, por që mund të na sjellin shumë më tepër vota në 2021-shin, se sa të tjerë që duken sikur janë të vetmit po nuk janë!”, vijon mesazhi.

Porositë e Ramës mbyllen me përjashtimin e zgjedhjeve parlamentare para 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë