Lajme

Populistët në Itali, çfarë të presin shqiptarët?

Qeveria e re italiane, produkt i një martese të pazakontë mes populistëve të 5 Yjeve të Luigi Di Maio dhe Lega Nord të Matteo Salvinit u betua.

Betimi la pas një mori të panjohurash që do të zbërthehen në ditët në vijim, si për italianët, për Brukselin dhe vetë Bashkimin Europian, por edhe për gjysmëmilioni shqiptarë që jetojnë dhe punojnë përtej Adriatikut.

Çfarë duhet të presin ata nga Qeveria e re? Matteo Salvini, në qeverinë e Guiseppe Contes do të drejtojë Ministrinë e Brendshme. Historiku i deklaratave të hershme të tij kundër emigracionit është i pasur, por në një rast komenton drejtpërdrejtë me ngjyra raciste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. 

“Shqipëria është vendi i ri kandidat për të hyrë në Bashkimin Europian. Për hir të historisë, ekonomisë, për të shkuarën dhe të ardhmen, t’i themi jo Europës si një supermarket. Betejë e vështirë? Ndoshta, por për t’u luftuar deri në fund. P.S: Bëjmë një shkëmbim? Ata hyjnë (në BE), ne dalim? Si thoni”, u drejtohet ai ndjekësve të vet në Facebook më 24 qershor të 2014, kur vendi ynë sapo kishte marrë statusin e kandidatit për anëtarësim.

https://www.facebook.com/salviniofficial/posts/10152219948388155

Më 20 tetor të 2017 shënjestron sërish emigracionin duke përdorur si shembull shqiptarët. Këtë herë shpërndan në profilin e tij një lajm nga kronika e zezë.

“Banda shqiptare arrestohet për organizimin e festave të mbushura me seks dhe drogë në një banesë ku jetonin emigrantë të paligjshëm. Çfarë Italie po na ndërton PD!”, shkruan ai.

Me afrimin e zgjedhjeve, tonet e tij në përgjithësi ndaj emigracionit dhe në veçanti ndaj shqiptarëve u zbutën, në përpjekje për të marrë votat e komunitetit shqiptar atje, jo pak në numër. Nisi të sjellë shembuj integrimi. Njëri prej tyre ishte 23-vjeçari Mike Gjeli, anëtar i Lega Nord.

“Jam bir emigrantësh. Kam lindur këtu në Itali. Nuk e kam ndjerë veten të diskriminuar asnjëherë. Ne si familje kemi ndjekur dhe respektuar rregullat dhe Lega këtë kërkon, që të gjithë të respektojnë rregullat”, deklaronte Mike Gjeli në 2017.

Por, jo të gjithë kanë fatin e Mike Gjelit. Në Itali janë më mijëra shqiptarë me leje qëndrimi dhe pune të përkohshme, fati i të cilëve vihet në pikëpyetje nga politikat që do të ndjekë qeveria e re, sidomos Ministria e Brendshme e udhëhequr nga Matteo Salvini.

Një tjetër ndryshim mund të pritet edhe në qëndrimin e palëkundur të Italisë për rrugën integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Me një koalicion euroskeptik, kjo mbështetje mund të lëkundet, ndoshta jo që nga 22-23 qershori, kur Këshilli i Europës do të mblidhet dhe do të vendosë nëse do të hapë negociatat me Shqipërinë, apo jo, por në afatgjatë ndryshime mund të ketë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë