Sekretari Amerikan i Shtetit Amerikan Mike Pompeo do të vizitojë muajin e ardhshëm dy vendet fqinje të Shqipërisë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si pjesë e një turneu diplomatik në rajon, por jo vendin tonë. Lajmi është bërë i ditur nga mediat e rajonit, të cilat kanë zbuluar edhe agjendën e shefit të diplomacisë amerikane,
Pompeo, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit amerikan Donald Trump së pari pritet të arrijnë në Shkup, dhe më pas të bëjnë një vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Ky tur vjen pasi Sekretari Amerian i Shtetit caktoi Matthew Palmer si të dërguarin e posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor.
Sipas DASH-it. Pompeo do të vizitojë javën e ardhshme Italinë, Vatikanin, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Në turneun që do të zgjasë nga 1 deri në 6 tetor, zoti Pompeo do të marrë pjesë në një simpozium në Vatikan dhe do të takohet me Papa Françeskun.
Në Romë, Sekretari i Shtetit do të takohet me Presidentin Sergio Mattarella, Kryeministrin Giueseppe Conte dhe Ministrin e Jashtëm Luigi Di Maio.
Më pas Sekretari i Shtetit do të shkojë në Mal të Zi ku do të takohet me Presidentin Milo Gjukanovic, kryeministrin Dushko Markoviç, dhe Ministrin e Jashtëm Srdjan Darmanoviç.
Gjatë turneut, zoti Pompeo do të shkojë me pas në Shkup, ku do të takohet me Presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Zoran Zaev dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë.
Ai do të mbarojë turneun me një vizitë në Greqi, ku do të takohet me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, Ministrin e Jashtëm Nikolaos Dendias, dhe Ministrin e Mbrojtjes Nikolaos Panagiotopoulos.
Vizita në Maqedoninë fqinje është e para që nga vizita e Colin Powell gjatë krizës së vitit 2000. Po ashtu, përpara referendumit për ndryshimin e emrit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Matiss vizitoi Maqedoninë e Veriut, ku ngriti alarmin për ndikimin rus.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Sekretari i fundit Amerikan i Shtetit që vizitoi Shqipërinë ishte John Kerry në 14 shkurt të vitit 2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.