Bota

Polonia: BE përgjegjëse për valën e tretë të pandemisë

Politika e vaksinimit të Bashkimit Europian dhe problemet e lidhura me shpërndarjen e vaksinave, në veçanti, janë sipas Ministrit polak të Shëndetësisë përgjegjëse për valën e tretë të koronavirusit në Europë.

"Në janar, ne u përshpejtuam duke shfrytëzuar të gjtiha vaksinat në dispozicion, por për momentin, për fat të keq, mund të thuhet se politika e vaksinimit të BE-së do të jetë pjesërisht përgjegjëse për faktin se kemi një valë të tretë në Europë", i tha ministri i Shëndetësisë Adam Niedzielski radios "Zet" të shtunën.

Sipas tij, Komisioni Europian duhet të përdorë peshën e tij kundër kompanive farmaceutike, të cilat gjithashtu kishin përfituar përmes granteve të investimeve para fillimit të prodhimit të vaksinave për të bashkë-financuar kërkimin .

Niedzielski shtoi se ai priste kulmin e valës së tretë të pandemisë në mars apo prill dhe tha se qeveria po shqyrton gjithashtu rivendosjen e masave kufizuese në rajonet me numrin më të lartë të rasteve me Covid-19.

Polonia mund të vendosë kufizime edhe në kufijtë me Sllovakinë dhe Republikën Çeke për shkak të përkeqësimit të situatës pandemike në të tria këto vende, tha ministri, duke shtuar se mbylljet e pjesshme të kufijve do të njoftohen këtë javë që vjen.

Polonia ka liruar disa kufizime, duke hapur kohët e fundit vendpushimet e skive, si dhe kinematë, hotelet dhe teatrot me kapacitet deri në 50%, por autoritetet kanë paralajmëruar që këto masa mund të duhet të rikthehen përsëri në varësi të pandemisë.

Në të njëjtën kohë, varianti britanik i koronavirusit ka filluar të përhapet në Poloni.

"Ne morëm informacion javën e kaluar se përqindja e këtij mutacioni qëndronte afërsisht në 5% të rreth 200 njerëzve që u testuan," tha Niedzielski.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë