Njerez

Politikanët irritojnë Rrahmanin: Interesa personale para shëndetit të kosovarëve

Pas rënies së qeverisë “Kurti”, reagimet kanë qenë të shumta dhe të ndryshme. Nuk kanë mbetur jashtë kësaj çështje as njerëzit e sportit, një ndër të cilët është kapiteni i kombëtares kosovare të futbollit, Amir Rrahmani. Ish-lojtari i Partizanit që ka nënshkruar për Napolin kritikon politikanët kosovarë për atë që po bëjnë në këtë krizë globale nga pandemia e Koronavirusit.

Me një postim të shkurtër në profilin e tij në Instagram, Rrahmani e quan të pakuptimtë situatën, ku qeveritarët po mendojnë më shumë për interesat personalë se shëndetin e kosovarëve. “Asnjëherë nuk jam marrë me politikë, por në një situatë pandemie, të kenë më shumë rëndësi interesat personale se shëndeti i kosovarëve, nga të cilët nesër do të kërkojnë votën prapë, është e pakuptueshme. Edhe sa duhet te presim që Kosova të bëhet një shtet europian? Si çdo kosovar, edhe unë dua që shteti im të përparojë, që të kemi një jetë më të mirë të gjithë, sepse një ditë edhe unë dua të kthehem dhe të jetoj aty. Është vendi i ynë. E DUA. Njeriu që ka marrë vota nga populli më së shumti në 15 vitet e fundit, BIE. Bie edhe fjala e popullit”, - shkruan Rrahmani.

Postimi i Amir Rrahmanit, kapitenit të Kosovës. Gazeta Si, 26 mars 2020

Kapiteni i Kosovës poston edhe një foto, ku shfaqet Albin Kurti, qeveria e të cilit sapo ka rënë, por dhe Fan Noli dhe Hasan Prishtina, që gjithashtu kanë qenë në krye të qeverive jetëshkurtra. Nga fjalët e mbrojtësit kosovar, një nga liderët e kombëtares së futbollit, nuk është e vështirë të kuptohet që ai është në krah të Albin Kurtit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë