Lajme

Politika shqiptare solidarizohet me tragjedinë në Xhenova

Tragjedia e Urës “Morandi” në Xhenova i ka tronditur të gjithë, pasi ishte një shkatërrim kolosal.

Të shumtë kanë qenë politikanët që kanë shprehur ngushëllimet e tyre.

Kryeministri Edi Rama ka shkruar në italisht në “Twitter”, duke etiketuar kryeministrin italian Giuseppe Conte.

Rama thotë se tragjedia e Xhenovës ka copëtuar zemrën e Shqipërisë dhe se për shqiptarët të gjithë ishin vëllezër dhe motra.

“Tragjedia e Genovas ka copëtuar zemrën e Shqipërisë. Ndjekim me ankth orë pas ore bilancin shkatërrues të jetëve të humbura dhe përpjekjet e shpëtimtarëve. Në mesin e rrënojave kishte edhe dy shqiptarë që banonin në Itali, por për ne të gjithë ishin vëllezhër dhe motra @GiuseppeConteIT”, shkruan Rama.

Presidenti Ilir Meta i ka shprehur ngushëllimet homologut të tij, Sergio Mattarella për tragjedinë që ndodhi në Xhenova. Në një njoftim dërguar mediave, Presidenti Meta thotë se populli shqiptar ndodhet pranë popullit italian në këto momente të vështirë.

“I dashur President Mattarella, jam shumë i trishtuar nga humbja e jetëve si pasojë e ngjarjes tragjike në qytetin e Genovas. Në këto momente të vështira jam pranë jush, pranë popullit mik italian, qytetarëve të Genovas dhe të gjitha familjeve të lënduara nga kjo fatkeqësi. Ngushëllimet e sinqerta dhe solidariteti im e i popullit shqiptar për familjet e viktimave dhe urimi i sinqertë për një shërim të shpejtë për të lënduarit e kësaj katastrofe”, thuhet në letrën e Presidentit Meta.

Për ngjarjen ka reaguar edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai u shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave dhe shton se ai dhe qytetarët shqiptarë janë në solidaritet të plotë me qeverinë italiane.

“I tronditur percolla lajmin e aksidentit te tmerrshem ne Genova. Ne keto momente te veshtira per Italine mike dhe popullin mik italian, shpreh ngushellimet per viktimat e familjet e tyre, dhe solidaritet te plote me qeverinë”, është shprehur Basha.  

Po ashtu ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi dje në Xhenova edhe ministri për Europën dhe Politikën e Jashtme, Ditmir Bushati.

Ky i fundit përmes një postimi në “Facebook” ka ngushëlluar familjarët e Marjus Djerrit dhe Admir Bokrinës. Gjithashtu pohoi se ambasada shqiptare në Itali do t’u ofrojë mbështetje familjarëve në këto çaste të rënda për ta.

“Lajm i dhimbshëm humbja e jetës së dy të rinjve shqiptarë, Marjus Djerri dhe Admir Bokrina në tragjedinë e #Genova. Në këto momente të trishtuara u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të tyre.

Ambasada shqiptare në Itali është në gatishmëri të plotë dhe u ofron mbështetjen dhe ndihmën e shtetit shqiptar familjarëve në këtë çast të rëndë për ta”, shprehet ministri Bushati.

Edhe kryebashkiaku Veliaj nëpërmjet një mesazhi në “Twitter” shkruan se është shumë i pikëlluar nga tragjedia e tmerrshme. Uron një shërim sa më të shpejtë të të lënduarve si dhe falënderon ekipin e kërkim-shpëtimit që po punon pa ndërprerje në vendin e tragjedisë.

“Jam i pikëlluar nga tragjedia e tmerrshme që goditi Xhenovën. Mendimet dhe lutjet e mia për viktimat dhe familjet e tyre. Uroj një shërim të shpejtë të të plagosurve. Një falënderim për heronjtë që punojnë pa ndërprerje në vendin e tragjedisë”, shkruan Veliaj.

Nga shembja e urës në Xhenova kanë humbur jetën 39 persona, 2 prej të cilëve janë shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë