Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka qenë i pranishëm në Konferencën Vjetore “Politika monetare, Integrimi Ekonomik dhe Normaliteti i Ri”. Në këtë konferencë, të pranishëm ishin edhe ministri Arben Ahmetaj dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Në fjalën e tij, Rama ka lavdëruar dhe ka folur me superlativa për punën e Bankës së Shqipërisë. Ai u shpreh se është i vetmi institucion që nuk është anatemuar dhe përbën një mbështetje shumë solide dhe garanci të fortë në raport me qeverinë.
“50 vite më parë kur BE sapo kishte dalë nga pelenat dhe duhet të provonte rezultatet e gjysmë shekullit që kaloi, Banka e Suedisë pati organizuar një konferencë me të njëjtin pyetje që sot Shqipëria ia bën vetes: Banka Qendrore përballë sfidave. E parë me sytë e 50 viteve më pas, politikat monetare i kanë kapërcyer kufijtë kombëtarë dhe janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.
Sot në një vend si Shqipëria është e ngritur pyetja e integrimit europian. Me tërësinë e kushteve Banka Qendrore duhet t’i japë një përgjigje kësaj pyetjeje. Duket pyetje e thjeshtë, por është komplekse. BSH ka pasur një rol pozitiv në përballjen me periudhën pas krizës, duke qenë në vijimësi pikë referimi për të gjithë. BSH është i vetmi institucion që nuk është anatemuar nga njëra palë për llogari të kacafytjes me palën tjetër. Kjo tregon se BSH është një qendër e pakundërshtueshme e gravitetit dhe është një trashëgimi e çmuar. BSH përbën një mbështetje shumë solide dhe garanci të fortë në raport me qeverinë tonë dhe me çdo qeveri. Sot është uluar niveli i kredive të këqija në krahasim me vitet e kaluara”, tha ndër të tjera Rama.
Ndërkohë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi i vendosur se qeveria shqiptare do të vazhdojë me reformat për të rritur ekonominë. “Kjo është një platformë prestigjioze për të shkëmbyer pikëpamje. Kriza financiare 2008 pati një impakt madhor mbi ekonominë globale sa është bërë normale t’u referohemi epokave të ndryshme si para dhe pas krizës. Aktivitetet ekonomike kanë ndryshuar shumë pas vitit 2008. Efektet e krizës u transmetuan në ekonomi nëpërmjet kanaleve të ndryshme. Shqipëria nuk u përfshi në një recension klasik, por degradimi i performancës nëpërmjet aktiviteteve ekonomike u shfaq vit pas viti”, tha Ahmetaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.