Muzike

Politika “kris” Trojën, banda e muzikës rock njofton tërheqjen

Grupi “Troja”, të paktën siç njihet deri më tani nuk do të jetë më. Përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, banda njofton se pas tre dekadave aktivitet ka ardhur momenti që të tërhiqet.

“I erdhi fundi edhe këtij muhabeti…TROJA ka një kohë që nuk ka qenë aktive në skenë edhe pse ka pasur tendenca të paraqitjes me formacione të ndryshme. Pas gati 30 viteve, TROJA e mbyll kapitullin e saj. Muret e TROJËS janë përçarë…”, nis njoftimi i bandës muzikore të shqiptarëve nga Kosova.

Shkak i ndarjes së rock-bandës, që me tekstet dhe tingujt e saj ka shpotitur gjithmonë sistemin, klasën politike që kultivon korrupsion, injorancë, fodullëk dhe paaftësi që të sigurojnë zhvillim për shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, duket se është…politika.

“Përkundër që politika është munduar me u identifiku’ me neve, Troja asnjëherë nuk ka këndu’ në “ahengje” të organizuara nga ata. TROJA u ka mbijetuar shumë sistemeve që nga para luftës, po edhe nga pas luftës. E gjithë kjo duke iu falenderuar juv që na keni dëgjuar dhe përkrahur”, vijon mesazhi i publikuar në Facebook.

Vendimi është marrë pasi vokalisti i grupit, Bujar Berisha njoftoi se do të këndojë në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje më 12 qershor, kundër formimit qeverisë së Avdullah Hotit. Këtu duket se kanë nisur përplasjet dhe një pjesë e bandës nuk ka qenë dakord. Në njoftimin zyrtar nënkuptohet se Berisha mund të këndojë, por jo në emër të Trojës.

https://www.facebook.com/grupiTROJA/posts/10158149666695325

“Kurrë, TROJA nuk ka qenë personale vetëm e njërit, apo tjetrit anëtar, e as më pak pronë private, por e gjithë juve që na keni motivar për të krijuar diçka më ndryshe. Disa kanë me këndu’ dhe kanë me u paraqitë si “TROJA”, por ajo është vjedhje e mundit, identitetit dhe ideologjisë, të cilin ky bend e ka paraqitur me dekada.“Kultura kultivohet - nuk blihet me pare, as nuk vidhet””, thotë më tej mesazhi.

Grupi i bë i famshëm masivisht në Shqipëri me këngët “Mbretëresha kohe”, apo “Amaneti i Cloën-it”, por ai është themeluar që në vitin 1991 nga Ismajl Beqaj, Tomorr Arifi, Florent Bajrami, Visar Blaku dhe Florent Bajrami, që është i vetmi anëtar që nga fillimi.

Fillimisht, vokalisti i bandës ishte Tomorr Arifi, që në 2006 u tërhoq dhe vendin e tij e zuri Bujar Berisha, që në mesin e viteve ’90 u bë anëtar i bandës si basist.

Një prej koncerteve të fundit të grupit ishte në Tiranë, zhvilluar tek “RockStock” në janar të 2018-ës.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë