Bota

Policia vret një tjetër afro-amerikan, rikthehen trazirat në Mineapolis

Policia e Mineapolisit ka qëlluar për vdekje një 20-vjeçar afrikano-amerikan, Daunte Wright, në një qendër të qytetit periferik, Brooklyn Center, duke shkaktuar protesta dhe trazira të reja kundër zbatimit të ligjit.

Ngjarja ka ndodhur pikërisht pak ditë pas nisjes së gjyqit kundër agjentit të policisë, Derek Chauvin, i akuzuar për vrasjen e afro-amerikanit, George Floyd majin e kaluar.

Viktima, sipas asaj që thanë agjentët, u arrestua për një shkelje të trafikut rrugor. Kur policët u përpoqën ta arrestonin, ai bëri rezistencë dhe hyri përsëri në makinë.

Në atë moment agjentët e qëlluan. Wright, i plagosur, u përpoq të shpëtonte, por u përplas me një makinë tjetër afër dhe vdiq.

Gazeta amerikane “New York Times”, raporton dëshminë dramatike të nënës së Dauntes, i cili foli në telefon me të gjatë kontrollit policor.

"Ai më telefonoi rreth orës 1:40 të mëngjesit, më tha se ishte ndaluar nga policia", u tha gruaja gazetarëve. "Ai tha se e ndaluan, sepse kishte një aromatizues ambienti të varur te pasqyra e pasme e makinës”. Wright i tha nënës së tij se policia donte sqarime mbi sigurimin e automjetit.

"I thashë: kur oficeri i policisë të kthehet flasë me ty, ma kalo në telefon dhe unë do t'i jap informacionin e sigurimit. Pastaj dëgjova oficerin e policisë që shkoi te dritarja dhe tha: ‘mbylle telefonin dhe dil nga makina’. Daunte e pyeti pse. Ai i tha: ne do t'ju shpjegojmë kur të dilni nga makina".

Gruaja më pas thotë se ka dëgjuar zhurma të një telefoni që bie ose ulet papritmas dhe një mbyllje të telefonatës, ndërsa një polic i ka thënë: "Daunte, mos ik. Mbylle celularin".

Ndërkohë, në mbrëmje, pas një tubimi të organizuar nga disa aktivistë, një turmë u mblodh në Brooklyn Center, ku filluan përleshjet dhe vandalizmi, me dyqane dhe zyra të plaçkitura dhe të shtëna me armë zjarri në hyrjen kryesore të stacionit të policisë.

Kryetari i Bashkisë, Mike Elliott, urdhëroi vendosjen e shtetrrethimit: "Ne duam që të gjithë të jenë të sigurt. Për t'u siguruar që të qëndroni të qetë dhe të shkoni në shtëpi", shkroi ai në Twitter.

Mineapolisi është edhe qyteti ku vitin e kaluar humbi jetën afro-amerikani, George Floyd, përsëri viktimë e policisë, pasi nuk iu bind urdhrave për arrestim.

Gjyqi për oficerët që dyshohet se shkaktuan vdekjen e tij, po hyn në javën e tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë