Lajme

Policia u thotë jo emigrantëve, Vasili: Rama i hapi luftë dhe diasporës

Policia e Tiranës refuzoi kërkesën e emigrantëve për tubim në kryeqytet në ditët e fundit të dhjetorit.
Në shkresën që mban firmën e Drejtorit të Policisë Tiranë, Kastriot Skënderaj, thuhet se një manifestim i tillë i kërkuar në datat 28, 29 dhe 30 dhjetor në intervale të ndryshme kohore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është i pamundur, pasi pengon lëvizjen e mjeteve të emergjencës, qarkullimin e mjeteve të transportit publik dhe privat.
Po kështu, policia paralajmëroi se për veprime në kundërshtim me ligjin organizatori dhe pjesëmarrësit në tubim do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.
Shumë emigrantë, të cilët vijnë në Shqipëri në këtë fundvit për pushime dhe jo vetëm kishin paralajmëruar protestë para Kryeministrisë me 28, 29 dhe 30 dhjetor.
Genc Sejko i njohur si “njeriu i memeve” ishte ideatori i protestës, e cila ka marrë mbështetje të gjerë, kryesisht në rrjetet sociale.
“Ne si shqiptarë të diasporës i kemi dhënë qëllim vetes të mbështesim kauzat e drejta të shqiptarëve në Shqipëri, si të studentëve, banorëve të Astirit, minatorëve, invalidëve”, informon Genc Sejko.
Emigrantët nga Shtetet e Bashkuara, Anglia, Italia, Gjermania e shume vende të tjera europiane dhe në kontinente të ndryshme, kishin konfirmuar pjesëmarrjen në protestë.

Ndërkohë, Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka sulmuar kreun e qeverisë, pasi sipas tij ka ndaluar diasporën të protestojë si dhe i ka kërkuar ministrit të Diasporës, Pandeli Majko të dorëhiqet.
Vasili e ka konsideruar një çmenduri refuzimin nga policia të kërkesës së emigrantëve për protestë para Kryeministrisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Petrit Vasili, shprehet se kryeministri Rama pasi ua solli në majë të hundës qytetarëve të këtij vendi, i hapi luftë dhe diasporës.
“Policia e Ramës dhe e Lleshajt konsumuan turpin më të madh të pluralizmit shqiptar. E neveritshme është se si Pandeli Majko, i pari Ministër i Diasporës në histori, rri e vështron këtë turp dhe nuk jep dorëheqjen”, shkruan Vasili në “Facebook”.

https://www.facebook.com/petritvasil/photos/a.1702860043347154/2003347763298379/?type=3&theater


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë