Rend dhe Ligj

Policia në azil – të kërcënuarit ikin jashtë vendit

Prej dy javësh, forcat speciale po shfaqen në dy raste të maskuara, me armë dhe me automjete të blinduara gjatë gjyqit të Emiljano Shullazit dhe së fundmi në krimin e ndodhur në ish-Bllok, ku gjendej edhe Ervis Martinaj, të dy këta figura të forta të krimit.

Në dukje po demonstron masa të forta, por në të vërtetë, policia shqiptare me 12 mijë efektivë në total po kalon një nga krizat e saj më të mëdha. Kriza nuk lidhet me përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar. Në polici ka lindur fenomeni i azil-kërkimit. Shumë oficerë policie pesë vitet e fundit janë larguar jashtë vendit, shumica e tyre kanë kërkuar dhe kanë fituar azil politik.

I pari që u largua ishte ish-oficeri i RENEA-s, Genci Zeqaj, me gradë komisar. Ai mbylli shtëpinë e tij në Tiranë, mori dy fëmijët e vegjël dhe bashkëshorten dhe u largua drejt Francës, ku edhe aplikoi për azil. E gjitha kjo ndodhi menjëherë, pasi RENEA ndërhyri në Lazarat në operacionin që i dorëzoi shtetit fshatin e drogës. Gjashtë muaj, pasi Lazarati u vendos nën kontroll, oficeri Zeqaj u largua befas për shkaqe që ai nuk i bëri të ditura.

Ish-efektivi i RENEA-s, Genci Zeqaj

Menjëherë pas tij u largua edhe një oficer i dytë nga Forcat RENEA. Kjo rrjedhje është mbajtur sekret dhe nuk konfirmohet zyrtarisht nga policia, edhe pse të dy oficerët e RENEA-s ja kanë dalë mbanë të marrin azilin së bashku me familjen. Azili u kërkua nga dy oficerët menjëherë pasi gjashtë nga efektivët specialë u lëvizën dhe u ulën në detyrë për shkaqe të paargumentuara.

Boshllëqet e krijuara te RENEA momentalisht janë zëvendësuar me forca të komandove të kthyer nga lufta në Afganistan dhe forcat elitare të policisë. Por, pavarësisht muskujve që demonstrojnë në aksionet blic, kriza po e mpak policinë, pasi nga radhët e saj po largohen profesionistët.

Oficeri tjetër i Policisë së Shtetit, Entiol Xhelilaj ka marrë azil politik në Kanada. Edhe ky informacion jepet në rrugë jozyrtare. Megjithatë, policia konfirmon se ai i ka shkëputur marrëdhëniet e punës që në vjeshtën e vitit 2017 dhe pasi është larguar nga Shqipëria, nuk është kthyer më në atdhe.

Entiol Xhelilaj shfaqet me nje trendafil ne dore gjate seances kunder tij ne Gjykaten e Tiranes per dosjen "IMSI Catcher"

Emri i Entiol Xhelilajt do ishte fare i zakonshëm për publikun, nëse nuk do të kujtojmë se ai kishte detyrën e specialistit të IT në Drejtorinë e Forcave Operacionale të Policisë. Ai u shfaq me një trëndafil në dorë në Gjykatën e Tiranës dhe këndoi himnin në komisionin hetimor të ngritur për skandalin ImsiCatcher, një çështje për të cilën prokuroria kërkoi në vitin 2016 pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe arrestin shtëpiak për Entiol Xhelilajn dhe Artion Dukën.

Skandali i ImsiCatcher u pushua në majin e këtij viti, pasi pala italiane theu të gjitha afatet për t’ju përgjigjur Shqipërisë mbi një letërporosi që do të sqaronte përfundimisht disa pikëpyetje, nëse ishte përdorur apo jo pajisja e trajnimit për përgjime të paautorizuara.

Gesana Fani ishte gjithashtu një oficere e policisë që shërbente pranë Komisariatit Nr. 2 dhe që mbulonte zonën ku kishte bazën Emiljano Shullazi. Ajo u kërcënua në vitin 2015 nga persona të paidentifikuar për jetën e saj dhe të fëmijëve dhe, me sa duket, ishte ky shkaku se përse agjentja e krimeve la detyrën befas dhe u largua nga Shqipëria.

Rastet më të fundit janë dy oficerë policie, që të dy agjentë krimesh në dy komisariate të kryeqytetit. Gazeta Si e njeh historinë e secilit, por për arsye sigurie nuk i bën publike emrat e tyre. Njëri prej tyre është larguar drejt Suedisë dhe tjetri drejt Kanadasë. Sërish edhe ata janë paraqitur me familjet e tyre, duke pretenduar se janë të pambrojtur dhe të kërcënuar nga krimi.

Publiku është i njohur tashmë me dy raste të tjera që kanë pasur efekt të madh mediatik. Emiljano Nuhu, ish-agjent infiltrimi është dorëzuar pranë autoriteteve në Zvicër. Versioni i tij është më publiku, pas atij të Dritan Zaganit që përzien brenda edhe politikën.

Emiljano Nuhu gjate denoncimit te bere per Shijak TV

Nënkomisar Nuhu është shprehur se iku, pasi nuk ishte i mbrojtur nga shteti kur po hetonte dhunimin e Xhisiela Malokut. Tjetri, tre vjet më parë, thotë se iku sepse sipas tij gjatë hetimit të trafikut të drogës ishte arrestuar për këtë shkak, për të favorizuar trafikantët e lidhur në fije të pushtetit në majat më të larta.

Ish-efektivi Dritan Zagani, i larguar nga Shqiperia tre vite me pare

Sa më sipër janë disa nga rastet kur oficerë të policisë shqiptare kanë kërkuar dhe kanë marrë përgjigje pozitive për azil në vendet ku kanë aplikuar. Gazeta Si disponon të dhëna për të tjerë që në një mënyrë apo në një tjetër kanë ikur, aplikuar, por ende nuk kanë marrë një përgjigje për strehim jashtë Shqipërisë.

Jo vetëm azil

Por, nuk është vetëm azil-kërkimi ai që po habit të huajt. Shumë policë dhe oficerë të tjerë të njohur si ekspertë të hetimit të krimit, janë larguar për të gjetur një jetë më të mirë, pa kërkuar azil si një pjesë e kolegëve të tyre. Këta kanë zgjedhur një rrugë më të thjeshtë, atë të qindra e mijëra shqiptareve të tjerë ndër vite, si emigrantë në Europë, ose shumë më larg saj dhe shtëpisë, si përfitues të lotarisë amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë