Analize

Kur sulmon një polic, krimi nuk ndalet

Dritan Zaganin dhe Emiljano Nuhun janë dy ish-punonjës policie që secili veç e veç janë puqur në Zvicrës si azilantë politikë për gati të njëjta arsye. Të dy kanë denoncuar publikisht ngjarje të rënda kriminale të lidhuara me fije dhe personazhe me pushtet politik, por të dy janë trajtuar si kriminelë. Koha tregoi se krimi ishte tjetërkund.

Dritan Zagani dhe Emiljano Nuhu përfaqësojnë dy nga rastet më të bujshme të arratisë nga radhët e Policisë së Shtetit, si një zgjedhje, sipas tyre e pavullnetshme, por e detyruar nga rrethanat dhe përplasja me krimin.

Dritan Zagani, me detyrë specialist i antidrogës në Fier u arrestua në maj të 2014 me akuzën e dekonspirimit të operacioneve antidrogë të Policisë së Shtetit, duke informuar trafikantët. Por, Zagani u mbrojtë se informacionet ja përcillte “Guardia Di Finanzias”.

Akuza për dekonspirimin e aksioneve dhe ajo për trafikun e drogës ra dhe çështja në ngarkim të tij u transferua nga Gjykata për Krimet e Rënda për në Gjykatën e Fierit me akuzën e vetme atë të shpërdorimit të detyrës.

Në pranverën e 2015, Zagani kaloi në në arrest shtëpie në pritje të një vendimi përfundimtar për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Por, në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit të atij viti ai nuk është gjetur në adresën e deklaruar dhe policia e rishpalli në kërkim.

Dritan Zagani ishte larguar së bashku me familjen. Mendohet se ndalesa e parë e tij ka qenë Zvicra. Atje u shfaq për të bërë deklaratën e parë publike, se ishte detyruar të “arratisej” sepse kishte zbuluar grupin e Habilajve për trafik droge. Ishte Zagani ai që bëri publike faktin e rëndë se trafikantët ishin kushërinjtë të ministrit të atëhershëm të Brendshëm Saimir Tahiri dhe lëviznin me makinë e tij. Më vonë siç edhe ndodhën ngjarjet akuzat e Zaganit u provuan edhe nga procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Brendshëm në Shqipëri ndërkohë që Habilajt në Itali janë të ndaluar dhe po gjykohen për trafik droge si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Por përpara se këto fakte të dilnin në dritë Dritan Zagani u sulmua nga maxhoranca si kriminelë, ndërkohë që po të mos ishte antidroga italiane për Habilajt, apo ish-ministrin e rendit, agjencitë e shtetit nuk do të kishin thënë asnjë fjalë përsa kohë ai dhe jo Habilajt akuzoheshin si kriminelë.

Megjithatë Zagani është ende person në kërkim dhe i dënuar nga Gjykata e Fierit për shpërdorim detyre, pavarësisht se për një pjesë të mirë të akuzave të bëra publike prej tij, koha i dha të drejtë. Sipas Zaganit ishte pikërisht hetimi që kishte nisur ndaj grupit të Habilajve dhe përfshirjes së zyrtarëve të lartë shtetërorë shkaku i vërtetë se përse kishte nisur hetimi për shpërdorim detyre ndaj tij.

Thuajse të njëjtën rrugë ndoqi edhe fati i Emiljano Nuhu. Specialisti i luftës kundër krimit në Fushë-Krujë la familjarisht Shqipërinë dhe së bashku me të edhe një karrierë për t’u lëvduar në radhët e policisë, si oficer i infiltruar në disa grupe kriminale. Në gusht të vitit të kaluar ai u largua dhe menjëherë më vonë dëshmoi publikisht për mediat se ishte kërcënuar për të mbyllur hetimet ndaj Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja, që akuzohej për dhunimin e ish të dashurës, Xhisiela Maloku.

Në dëshminë e tij, Nuhu tha se ishte kërcënuar nga xhaxhai i Rexhep Rrajës në prani të kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi dhe të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Akuzat u hodhën poshtë por e vërteta mbetet ende e pazbardhur. Ky ishte episodi i parë i kërcënimit, sipas versionit të Nuhut, ndërsa kërcënimi i dytë i është bërë në një lokal pranë banesës së tij në zonën e Unazës së Re në Tiranë, ku protagonist ishte edhe Redjan Rraja.

Agjencitë shtetërore edhe nëse kanë hetuar për të dyja denoncimet e Nuhut, nuk i kanë thënë asgjë publikut. A ishin apo jo të vërteta pretendimet se Emiljano Nuhu është kërcënuar? Redjan Rraja që kërcënoi ish-oficerin e antidrogës sot akuzohet si atentatori që qëlloi mbi prokurorin Arjan Ndoja pak ditë më parë.

Emiljano Nuhu u akuzua se sabotoi me dashje hetimin ndaj djalit të deputetit Rrahman Rraja duke sajuar akuza për të përfituar azil në vendet perëndimore, por koha përforcoi akuzat se ai qenka kërcënuar jo nga një qytetarë dosido, por nga Redjan Rraja, i njëjti person që akuzohet për pjesëmarrje në atenatin ndaj një prokurori dhe që më parë për një vrasje në Tiranë u dënua për fshehje të provave dhe armës së krimit.

Tek policia e shtetit prej kohësh vihen re shenjat e një krizë që nuk lidhet drejtpërdrejtë me luftën ndaj krimit, por pasoja e kësaj lufte. Zagani dhe Nuhu nuk janë të vetmit. Në polici ka lindur fenomeni i azilkërkimit. Shumë oficerë policie vitet e fundit janë larguar jashtë vendit, ku shumica e tyre kanë kërkuar dhe kanë fituar azil politik, sepse pas kërcënimit të krimit, shteti sulmoi ata të parët. Si pasojë nuk është parandaluar një krim, por sot është shtuar një tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë