Lajme

Policia e lidhur me mafien, Akapulko “nën rrethim”

E gjithë forca e policisë bashkiake në vendpushimin meksikan të Akapulkos është nën hetim mes dyshimeve të infiltrimit nga grupet kriminale.

Marinsat rrethuan selinë e policisë dhe çarmatosën 700 oficerë. Tanimë policia federale dhe ushtria është duke patrulluar nëpër qytet. Akapulko u bë i famshëm si një destinacion për të pasurit dhe të famshmit në vitet 1950 dhe 1960, por që atëherë është bërë një “pikë e nxehtë” për trafikimin e drogës.

Çfarë ndodhi?

Marinsat, policia shtetërore dhe federale u vendosën në qytetet gjatë një operacioni masiv të martën. Ata rrethuan selinë e policisë komunale të Akapulkos, dhe formuan një kordon sigurie rreth ndërtesës. Më pas ata u zhvendosën në selinë qendrore dhe çarmatosën qindra oficerë, duke u sekuestruar municionet, jelekët anti-plumb dhe radiot.

Ata gjithashtu arrestuan dy komandantë të policisë me dyshim për vrasje.  Për momentin, detyrat e policisë do të kryhen nga marinsat dhe zyrtarët federalë.

E gjithë forca e policisë bashkiake dhe shefi i saj, Max Lorenzo Sedano, janë nën hetim. Të gjithë oficerët do t'i nënshtrohen një "testi besimi" dhe do të merren në pyetje për lidhje të mundshme me bandat kriminale.

Sa e rëndë ishte situata?

Normat e krimit dhe vrasjeve janë rritur ndjeshëm në Akapulko. Bastisja erdhi pasi zyrtarët shtetërorë vunë re rritjen e krimit dhe mungesën e veprimit nga policia.

Vitin e kaluar, shkalla e vrasjeve në qytet u rrit në 106 vrasje për 100,000 banorë, një nga më të lartat në botë. Banorët e Akapulkos janë ankuar për rritjen e dhunës, duke thënë se kishin shumë frikë t’u drejtoheshin organeve policore.

Në janar, departamenti i shtetit amerikan i ndaloi punonjësit e qeverisë amerikane që të udhëtonin në Akapulko. Ndëra në korrik, disa kompani të njohura ndaluan shpërndarjen e produkteve në disa pjesë të Akapulkos për shkak të rritjes së dhunës.

Pse tani?

Mediat lokale kanë vënë në dukje se operacioni vjen vetëm pesë ditë përpara se kryebashkiakja e re e Akapulkos të marrë detyrën. Kryebashkiakja e zgjedhur, Adela Román tha javën e shkuar se kishte marrë kërcënime me vdekje. Román këmbënguli se pavarësisht nga kërcënimet që do të riorganizonte forcën policore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë